Vendet e Ballkanit ”po sajohen” me vaksinën ruse dhe kineze

Jo të gjitha vendet e Ballkanit po vaksinojnë popullatën me vaksinën Pfizer apo dhe AstraZeneca. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina janë ende në pritje të ngarkesave të para, ndërsa në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut procesi i vaksinimit deri në këto momente ka qenë i limituar. Vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen aleatë kyçë dhe anëtarë të mundshëm në të ardhmen të Bashkimit Europian, por janë lënë jashtë nga plani i bllokut për furnizimin e menjëhershëm me vaksina.

BE-ja ka siguruar deri në këto momente 2.3 miliardë doza vaksina dhe ka premtuar se do të ndajë disa prej tyre me vendet e tjera. Gjithashtu ka caktuar një fond prej 85 milionë dollarësh për rajonin e Ballkanit Perëndimor për të blerë vaksina në një të ardhme, por në një kohë kur shpërndarja ka qenë e ngadaltë, këto vende janë akoma në pritje.

Serbia mori kontrollin e situatës dhe kërkoi vaksinat diku tjetër. Kina dhe Rusia ishin gati të ndihmonin. Qeveria serbe deri në këto momente ka marrë nga Kina 1.5 milionë doza të vaksinës Sinopharm, duke e katapultuar vendin prej 7 milionë banorësh në krye të garës globale të vaksinimit. Sipas të dhënave zyrtarë rreth 1 milionë qytetarë janë vaksinuar kundër Covid-19 në Serbi që 19 janari, kur nisi dhe zyrtarisht vaksinimi.

Serbia ka ndihmuar dhe disa nga vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke iu dhënë atyre dhe disa sasi simbolike vaksinash. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka premtuar se do ta ndihmojë rajonin me blerjen e vaksinave antiCovid, por pa dhënë detaje.

SHKARKO APP