Vendet jashtë zonës Shengen, kur Franca do të hapë kufijtë
Franca “gradualisht do të hapë kufijtë jashtë zonës Shengen nga 1 korriku”.
Kjo u njoftua nga Ministrat e Jashtëm Jean-Yves Le Drian dhe Ministri i Brendshëm Christophe Castaner në një deklaratë të përbashkët.
“Vendimi është marrë në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian të paraqitur të enjten”.
Sipas ministrave, “kjo hapje do të kryhet në mënyrë progresive dhe të diferencuar sipas gjendjes shëndetësore të vendeve të ndryshme të treta dhe sipas procedurave që janë miratuar në nivelin Europian”.
Komisioni Evropian ka rekomanduar para dy ditësh hapjen graduale të kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian nga 1 korriku, për shtetasit e huaj, duke marrë parasysh situatën epidemiologjike.
Komisioni ka propozuar që masa e ndalimit të hyrjes në BE, të hiqet për ato vende, të cilat dëshmojnë se situata e përhapjes së koronavirusit është e menaxhueshme.
Në propozimin e Komisionit Europian, kufizimet është kërkuar që të hiqen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Komisioni e ka arsyetuar këtë kërkesë, me faktin që “situata epidemiologjike e tyre është e ngjashme apo edhe më e mirë sesa në BE”.