Vendimi për të tërhequr trupat amerikane nga Siria, Trump përballet me kritika të forta: Po afrohet një katastrofë!

Ligjvënës amerikanë me peshë nga të dyja kahjet politike, të gjendur të papërgatitur për njoftimin e Presidentit Trump se do të tërheqë trupat amerikane nga Siria e veriut, e kanë dënuar vendimin e presidentit.

Senatori Lindsay Graham, anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, postoi të hënën një koment në Twitter se kishte folur me kolegun demokrat, Chris Van Hollen dhe se do të propozonin “sanksione dypartiake kundër Turqisë nëse pushton Sirinë si dhe do të kërkojnë pezullimin e antarësisë së saj në NATO nëse forcat turke sulmojnë forcat kurde që patën luftuar përkrah trupave amerikane për të mposhtur ISIS-in”.

Deklarata e senatorit Graham u bë menjëherë pasi presidenti i doli në mbrojtje vendimit të tij për të tërhequr trupat amerikane, që u pasua me këmbana alarmi se ky vendim do të vinte në rrezik njësitë kryengritëse Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, si dhe do të pengonte luftën kundër ISIS-it.

“Ka ardhur koha të mbyllim këto LUFTRA ABSURDE PA FUND, shumë prej të cilave me fraksione fisnore. Duhet të kthejmë ushtarët në atdhe. DO TË LUFTOJMË ATY KU ËSHTË NË INTERESIN TONË DHE VETËM KUR MUND TË FITOJMË,” shkruante presidenti në Twitter.

Senatori Graham, tradicionalisht një mbrojtës i flaktë i presidentit, e cilësoi këtë vendim “një katastrofë që afron”. Ai shtoi se largimi i forcave amerikane nga kjo zonë garanton kthimin e ISIS-it. “Kjo detyron kurdët të bashkojnë forcat me Asadin dhe Iranin. Kjo shkatërron marrëdhëniet e Turqisë me Kongresin amerikan. Kjo do të jetë një njollë në nderin e Amerikës, pasi braktisi kurdët”.

Administrata e Presidentit Trump ka njoftuar se Turqia së shpejti do të zbatojë planet e saj për të ndërmarrë një ofensivë në pjesën verirore të Sirisë, një lëvizje për të cilën Forcat Demokratike Siriane të udhëhequara nga kurdët, thonë se do të ketë një ndikim negativ në luftën kundër grupit Shteti Islamik.

Senatori tjetër republikan, Marco Rubio pohon se ky vendim është “një gabim i rëndë”.

“Ky vendim do të konfirmonte pikëpamjen e Iranit për këtë administratë dhe do t’i jepte Teheranit zemër për të ashpërsuar sulmet keqdashëse që mund të sjellin si rezultat konflikte më të gjera e më të rrezikshme në rajon,” shkruan në Twitter Senatori Rubio.

Administrata e Presidentit Trump njoftoi të dielën se Turqia së shpejti do të fillojë të vërë në zbatim planet e saj për të ndërmarrë një ofensivë në pjesën verirore të Sirisë, një akt që shihet nga grupet kryengritëse Forcat Demoratike Siriane të udhëhequara nga kurdët, si me ndikim negativ në luftën kundër grupit Shteti Islamik.

“Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara nuk do të mbështesin dhe nuk do të jenë të përfshira në operacion. Forcat amerikane, pasi kanë mposhtur ‘kalifatin’ territorial të organizatës ISIS, nuk do të jenë më në atë zonë”, njoftoi Shtëpia e Bardhë duke cituar një telefonatë mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit Recep Tayyip Erdogan të zhvilluar të dielën.

Por, pas kritikave të forta që pasuan njoftimin e tij, duket se Presidenti Trump e ndryshoi disi vendimin që ishte interpretuar si dritë e gjelbër që ushtria turke të hidhej në veprim në Sirinë e veriut.

“Siç e kam thënë me forcë më parë dhe po e ritheksoj tani, nëse Turqia nuk bën asgjë që, në interpretimin tim të pakrahasueshëm do të shihej si e papranueshme, unë do ta shkatërroj, do ta bëj pluhur ekonominë e Turqisë,” postoi presidenti në Twitter.

Zyrtarë të Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit kanë shprehur kundërshti ndaj një veprimi të tillë nga Turqia.

“Çdo veprim ushtarak nga Turqia do të ishte shumë shqetësues pasi do të minonte interesat tona të përbashkëta për një Siri verilindore të sigurtë dhe për të mbajtur të pandryshuar mposhtjen e ISIS-it,” tha në një reagim me email për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Pentagonit, Komandant Sean Robertson.

Një zyrtar i Pentagonit, foli në kushte anonimiteti për Zërin e Amerikës, duke konfirmuar se Sekretari i Mbrojtjes Mike Esper ka qenë në kontakt gjatë fundjavës me ekipin e sigurisë kombëtare për të diskutuar situatën në Sirinë e veriut.

“Departamenti i Mbrotjjes ia ka bërë të qartë Turqisë, po ashtu edhe presidentit, se nuk jemi dakord me operacion nga Turqia në Sirinë e veriut,” tha Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Çështje Publike, Jonathan Hoffman.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u bëri jehonë këtyre shqetësimeve. “Nuk mendojmë se këto operacione do të ofrojnë një siguri më të madhe në luftën kundër ISIS-it qoftë në interes të Turqisë apo për banorët e Sirisë verilindore,” tha zyrtari.

Presidenti është shprehur se mbështetja për forcat luftëtare të udhëhequra nga kurdët ka kosto tepër të lartë dhe se këto forca “paguheshin shuma shumë të mëdha si dhe furnizoheshin me pajisje. Ato kanë luftuar kundër Turqisë prej dekadash”.

Forcat Demokratike Siriane thanë se forcat amerikane janë tërhequr nga zonat kufitare me Turqinë, ndërsa akuzuan Shtetet e Bashkuara se nuk po përmbushin detyrimet në bazë të marrëveshjes amerikano-turke, që përfshinte edhe reduktimin e kapaciteteve ushtarake të forcave kurde në afërsi të kufirit për të qetësuar shqetësimet turke.

Forcat Demokratike Siriane shprehën përmes një deklerare vëndosmërinë për të mbrojtur tokën e tyre me çdo çmim.

“U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve tanë kurdë, arabë, asir dhe sirianë që të forcojnë unitetin dhe të qëndrojnë pranë SDF në mbrojtje të tokës së tyre.”

Njësitë Mbrojtëse Popullore, ose YPG, grupi kryesor në Forcat Demokratike Siriane (SDF), shihen nga Turqia si një filial i Partisë Punëtore të Kurdistanit me bazë në Turqi. PKK ka dhjetëra vite që lufton për më shumë të drejta në zonat me shumicë kurde në Turqi.

Shtetet e Bashkuara bëjnë një dallim mes PKK dhe YPG, duke mbështetur Forcat Demokratike Siriane që mbizotërohen nga YPG në luftën kundër grupit terrorist Shteti Islamik në Siri.

Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Cavusoglu tha se vendi i tij ka mbështetur integritetin territorial të Sirisë që një fillimi i konfliktit dhe do të vazhdojë të bëjë këtë.

“Të vendosur për të siguruar mbijetesën dhe sigurinë e Turqisë duke pastruar rajonin nga terroristët”, shkruante ai në Twitter, “ne do të kontribojmë tek siguria, paqja dhe stabiliteti në Siri”.

Një zëdhënës për Forcat Demokratike Siriane tha para njoftimit nga Uashingtoni se çdo ndërhyrje Turke në Siri do të çonte të gjithë rajonin në një paqendrueshmëri të paparashikueshme.

“Ne i shohim këto kërcënime nga Turqia si jashtëzakonisht serioze”, tha Mustafa Bali për Zërin e Amerikës. “Druhemi se do të ketë vrasje masive kundër popullsisë tonë nëse forcat turke pushtojnë këtë pjesë të Sirisë.”

Burgjet e mbushura me luftëtarë të Shtetit Islamik

Forcat Demokratike Siriane po mbajnë mijëra njerëz në kampe paraburgimi në pjesën verilindore të Sirisë, shumë prej të cilëve dyshohen se janë luftëtarë të huaj nga Perëndimi që iu bashkuan Shtetit Islamik.

Në dekleratën e së dielës Shtëpia e Bardhë tha se Franca, Gjermania dhe vende të tjera evropiane kanë refuzuar që të pranojnë kthimin e shtetasve të tyre dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i mbajnë ata. “Turqia tani do të jetë përgjegjëse për të gjithë luftëtarët e ISIS në këtë zonë të marrë nën kontroll gjatë dy viteve”, thuhej në dekleratë.

Brett McGurk, ish i dërguari amerikan në koalicionin kundër Shtetit Islamik, e kritkoi ashpër dekleratën e Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se, “demostron mungesë të plotë të kuptimit të çdo gjëje që po ndodh në terren”.

“Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë asnjë të burgosur nga ISIS. Të gjithë mbahen nga SDF, të cilët zoti Trump ia la në derë Turqisë”, shkruante ai në Twitter. “Përfundimisht, Trumpi me një telefonatë me një udhëheqës të huaj i bëri dhuratë Rusinë, Iranin dhe ISIS”, u shpreh McGurk.

Qëndrimi amerikan

Zyrtarët amerikanë kishin thënë se çdo ofensivë turke në Siri do të pengonte përpjekjet për të mundur militatët e Shtetit Islamik.

Analisti për çështjet turke Aykan Erdemir me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me qendër në Uashington, thotë se Turqia është përpjekur të shfrytëzojë mospajtimet në opinone dhe angazhim brenda qeverisë amerikane lidhur me prezencën ushtarake amerikane në Siri./VOA

SHKARKO APP