Venezuelë, konfiskohen anije kolumbiane, komplot për rrëzimin e presidentit Nicolas Maduro

Presidenti venezuelas, Nikola Maduro, vazhdon t’i bëjë jehonë idesë se vendi i tij fqinj, Kolumbia, dhe Amerika kanë dashur ta rrëzojnë atë nga pushteti pas një inkursioni ushtarak që tashmë është evituar. 

Venezuela ka paraqitur prova shtesë kundër Kolumbisë, pak ditë pasi e akuzoi fqinjin e saj lindor për komplotin e dështuar për pushtimin e vendit.

Ushtria venezuelase njoftoi në fundjavë se në vazhdën e operacionit për “liri dhe sovranitet” ka konfiskuar tri anije të vogla luftarake kolumbiane, të pajisura me artileri dhe municion të rëndë.

Anijet, sipas hetimeve paraprake, u zhvendosën në territor nga rrjedhat e vrullshme të lumit Orinoko dhe nuk kishin pjesëtarë të ekuipazhit në bordin e tyre.

Flota kolumbiane mësohet se ka kontaktuar me homologët e Venezuelës për rikthimin e mjeteve.

“Nuk kam asnjë dyshim se presidenti kolumbian, Ivan Duke, është penalisht dhe politikisht përgjegjës për inkursionin. Është e nevojshme që ai të akuzohet para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për akuzat që do i bëjmë edhe Shteteve të Bashkuara,” deklaroi të shtunën kreu i shtetit i Venezuelës, Nikola Maduro.

Ai paralajmëroi ankimim zyrtar ndaj të dyja shteteve në Kombet e Bashkuara.

Si ShBA-ja, edhe Kolumbia e kanë mohuar akuzën se kanë synuar pushtimin e Venezuelës.

Ndërkaq, dy grupe të dyshuara mercenarësh u arrestuan javën e kaluar, përfshirë edhe dy shtetas amerikanë me përvojë ushtarake.

Në dëshminë e tij, një nga ish-ushtarët amerikanë u shpreh se ishin kontraktuar nga opozita venezuelase kundrejt shumës 200 milionë dollarë për të formuar një ekip ushtarakësh dhe dezertorësh që synonin rrëzimin e qeverisë dhe të presidentit Maduro.

Opozita në Venezuelë i ka quajtur akuzat për komplot të presidentit Maduro justifikim për të shtypur më tej figurat opozitare dhe për të hequr vëmendjen nga situata ekonomike dhe dhuna në vendin që ai udhëheq prej vitit 2013.

SHKARKO APP