Venezuelë/ Opozita zhvillon votime simbolike, SHBA dhe BE nuk njohin zgjedhjet
Opozita venezuelase nuk pajtohet me zgjedhjet parlamentare të 6 dhjetorit që nxorën sërish fituese Partinë Socialiste të presidentit, Nikola Maduro.
Pasi bojkotuan zgjedhjet, grupimet opozitare përmbyllën në fundjavë një votim simbolik që kishte si kërkesë kryesore thirrjen për zgjedhje të lira të përgjithshme.
Konsultat me qytetarët i udhëhoqi Huan Guaidoja, lideri i pakicës politike dhe personi i njohur si presidenti në detyrë i vendit nga shtetet perëndimore.
“Dallimi sot është se qytetarët shprehën jo vetëm vullnetin kundër manipulimeve, diktaturës, por edhe vullnetin për liri. Diktatura në Venezuelë po u fut atyre frikën me shumë mënyra, edhe me keqinformimin e censurën mediatike.”
Votimet simbolike të opozitës u mbajtën në mbi 3 mijë qendra në të gjithë vendin dhe mësohet se 6 milionë persona e shprehën qëndrimin e tyre edhe nga interneti.
Zgjedhjet u legjitimuan nga socialistët e Maduros si demokratike, edhe pse në to morën pjesë vetëm disa parti të vogla opozitare që i refuzuan thirrjet për bojkot dhe 31% e votuesve.
“Unë jam kundër kësaj. Dua një Venezuelë të lirë, të bukur, si ajo ku u rrita. Sot në moshën 75-vjeçare dua të luftoj për ta larguar këtë diktaturë, për të mirën dhe të ardhmen tonë. Nuk presim që të vijnë nga jashtë e të na shpëtojmë, por ne vetë kemi mundësinë që me këtë pjesëmarrje, të ngremë zërin e të themi se ne, si venezuelas që jemi, nuk pajtohemi me situatën që po kalon vendi.”
Presidenti Maduro i ka shpërfillur konsultat e opozitës me qytetarët duke e quajtur rivalin Guaido, një kukull të Amerikës imperialiste.
Më 6 janar partia e tij pritet të kontrollojë edhe Asamblenë Kombëtare që deri tani i takonte pakicës, ndërkohë që SHBA-ja dhe Bashkimi Europian thonë se nuk i njohin zgjedhjet e fundit.