Venezuelë, vritet ish-polici që tentoi grushtin e shtetit
Oscar Perez, ish-polici që ishte ngritur me armë zjarri kundër qeverisë së Nikolas Maduros dhe që ishte akuzuar për një grusht të dështuar shteti, është vrarë nga forcat e sigurisë venezueliane teksa ishte rrethuar në një banesë në Karakas. Lajmi bëhet i ditur nga kanali Cnn në spanjisht nga “burime zyrtare të nivelit të lartë” dhe që nuk kanë dashur të identifikohen.
“Anëtarët e kësaj celule terroriste që kanë bërë rezistencë , janë vrarë dhe pesë prej tyre janë arrestuar”, – kishte thënë ministri i Brendshëm në një deklaratë, pa specifikuar nëse piloti rebel të jetë mes viktimave. Sipas burimeve zyrtare, dy nga viktimat janë agjentë policie. Dje, presidenti Maduro kishte thënë se operacioni ishte destinuar për kapjen “e grupit terrorist që ka sulmuar Gjykatën e Lartë” dhe që ishte duke përgatitur një autobombë për të goditur një ambasadë të huaj.
Ndërkohë mbetet shumë mister për vrasjen e Perez. Cnn, në fakt nënvizon se nuk ka mundur të konfirmojë direkt vdekjen e pilotit, i cili dy ditë më parë ishte shfaqur në një video të publikuar në internet, me fytyrën e gjakosur.
“Na kanë qëlluar me granata-hedhës. Nuk donin që të dorëzoheshim, donin të na vrisnin, – kishte thënë në video. – Nuk po qëllojmë dhe po vazhdojnë të na sulmojnë. Po përpiqemi të bisedojmë, sepse ka persona të pafajshëm këtu, ka civilë… duan të na vrasin”.
KOHA JONË SONDAZH

