Veprim që shkakton polemika, Izraeli shpall ”non-grata” sekretarin e përgjithshëm të OKB
Izraeli i cili u sulmua mbrëmë me raketa nga Irani, sot ka shpallur si person të padëshiruar (non-grata) sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dhe t’i ndalojë atij hyrjen në vend. Për ta Guterres do të mbetet një “njollë” në historinë e Kombeve të Bashkuara.
”Sot unë e kam shpallur sekretarin e përgjithshëm të OKB-së António Guterres si persona non grata në Izrael dhe i kam ndaluar hyrjen në vend. Kushdo që nuk mund të dënojë pa mëdyshje sulmin e urryer të Iranit ndaj Izraelit, siç e ka bërë pothuajse çdo vend në botë, nuk e meriton të shkelë në tokën izraelite.
Ky është një sekretar i përgjithshëm që ende nuk ka denoncuar masakrën dhe mizoritë seksuale të kryera nga vrasësit e Hamasit më 7 tetor, as nuk ka udhëhequr ndonjë përpjekje për t’i shpallur ata një organizatë terroriste.
Një sekretar i përgjithshëm që u jep mbështetje terroristëve, përdhunuesve dhe vrasësve nga Hamasi, Hezbollahu, Houthis dhe tani Irani, anija mëmë e terrorit global, do të mbahet mend si një njollë në historinë e OKB-së”, shkruhet në reagimin e ministrit të Jashtëm Katz.