Vështirësohen fluturimet drejt Kinës – Reagojnë SHBA dhe vende të tjera. Bizneset, probleme me furnizimin
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera ndaluan udhëtimet drejt Kinës dhe bizneset deklaruan se po përballen me probleme në furnizimin si pasojë e koronavirusit, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendjen e emergjencës ndërkombëtarë. Ndërkohë që numri i vdekjeve dhe i të infektuarve po rritet, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan amerikanët që të mos udhëtojnë në origjinën e virusit. Japonia këshilloi qytetarët e vetë që të anulojnë udhëtimet që nuk janë urgjente drejt kinës.
Singapori deklaroi se ka pezulluar hyrjet e udhëtuesve që kanë qenë së fundmi në Kinë dhe ka pezulluar vizat për mbajtësit e pasaportave kineze. Qeveria e Italisë vendosi të shpallë gjendjen e emergjencës shtetërore dhe ndaloi të gjithë trafikun ajror me Kinën, pasi konfirmoi rastet e para të virusit tek 2 turistë kinezë. Agjencia Moody’s, paralajmëroi se virusi mund të shkaktojë pasoja botërore, duke goditur zinxhirët e furnizimit.
Hyundai deklaroi se po planifikon të ndalojë prodhimin në Korenë e Jugut, si pasojë e ndërprerjes së furnizimit të shkaktuar nga virusi. Prodhuesi i pajisjeve shtëpiake Electrolux dha një paralajmërim të ngjashëm. Prodhuesi francez i makinave Peugeot Citroen deklaroi se 3 fabrikat në Vuhan do qëndrojnë të mbyllura deri më 14 Shkurt. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë mirëpriti përpjekjet kineze për të parandaluar virusin dhe nuk rekomandoi ndalimet e udhëtimit apo tregtisë me vendin.