Vijojnë protestat në Hong Kong, thirrje për autonomi

Policia në Hong Kong ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë një manifestim të mijëra protestuesve anti qeveritarë të shtunën, shumë prej tyre të veshur me të zeza dhe me maska.

Kjo ishte një përgjigje e shpejtë ndaj një tubimi që konsiderohej si një thirrje emergjence për autonomi të ish-kolonisë britanike, të cilës i ishin premtuar liritë e saj kur iu kthye Kinës në 1997.

Manifestuesit protestojnë prej pesë muajsh radhazi, duke shprehur pakënaqësi për sistemin politik dhe ligjor të Hong Kongut. Aktivistët kishin goditur forcat policore me bombola gazi, si dhe kishin dëmtuar ndërtesat qeveritare dhe shumë biznese. Disa herë protestat janë përfshirë nga dhuna, të cilat kanë nisur si shenjë pakënaqësie ndaj një projektligji për ekstradim të të dyshuarve në Kinë.

Projektligji në fjalë është pezulluar, mirëpo kërkesat e protestuesve ndërkohë janë zgjeruar, duke bërë thirrje për zgjedhje të drejtpërdrejta dhe llogaridhënie më të madhe nga policia. Kina ka mohuar akuzat se ka kufizuar të drejtat e këtij territori nga viti 1997 dhe ka fajësuar kombet e huaja, sikurse Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë për nxitje të pakënaqësive.

SHKARKO APP