Vijon eksodi i opozitës në Bjellorusi, tre figura të larta u larguan drejt Ukrainës, fillimisht u raportuan si të zhdukur
Tre zyrtarë të opozitës bjelloruse, për të cilët mendohej se ishin rrëmbyer nga forcat e sigurisë, kanë kaluar kufirin në Ukrainën fqinje, thanë autoritetet kufitare Bjelloruse më 8 shtator.
Të tre janë figurat kryesore në Këshillin Koordinues që ka bërë presion për një tranzicion paqësor të pushtetit, që kur zyrtarët e zgjedhjeve shpallën presidentin Alyaksandr Lukashenka fitues të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 9 gusht.
Opozita thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara, dhe që nga përfundimi i tyre ka organizuar protesta, të cilat në shumë raste janë shtypur nga ana e autoriteteve të sigurisë.
Anëtarja e kryesisë së Këshillit Koordinues, Maryya Kalesnikava, sekretari i shtypit, Anton Randyonkau dhe sekretari ekzekutiv Ivan Krautsou mbërritën në pikën kufitare të Alyaksandrauka në rajonin Homel me të njëjtën makinë rreth orës 5:00 të mëngjesit më 8 shtator.
Fillimisht u raportua se ata ishin zhdukur, duke nxitur reagime nga Bashkimi Evropian se regjimi i bjellorus ishte duke përdorur rrëmbimin dhe frikësimin për të shuar protestat.
Deri më tani mijëra njerëz janë arrestuar, përfshirë gazetarë.
Anëtarët e Këshillit Koordinues dhe organi i tij vendimmarrës janë thirrur nga policia dhe në disa raste janë dënuar me burg.
Kandidatja e opozitës në zgjedhjet e muajit të kaluar ishte Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila iku në Lituani disa ditë pas votimit.
Lukashenka, i cili ka shërbyer pesë mandate tashmë, ka refuzuar të mbajë bisedime me kundërshtarët e tij dhe ka hedhur poshtë thirrjet për të mbajtur një zgjedhje të reja.