Viktor Orban: Gabim historik veçimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt rrugëtimit në BE

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban deklaroi nga Ohri seMaqedonia e Veriut duhet të ishte prej kohësh vend anëtar i BE-së. Ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian Orbani e quajti si gabim dhe i propozoi homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski, që të ndërmjetësojë mes Shkupit dhe Sofjes.

“Nevojitet marrëveshje me Bullgarinë dhe për këtë kam një propozim, të cilin ia përcolla zotit kryeministër dhe i thashë se ne jemi të gatshëm që të shfrytëzojmë kryesimin me BE-në, që të ndërmjetësojmë rreth kësaj çështje. Nëse palët janë të gatshme që ta pranojnë Hungarinë si ndërmjetësuese, kjo është punë e tyre, por ne jemi të përgatitur dhe dëshirojmë që të punojmë në këtë drejtim që të arrihet një zgjidhje e cila do t’i pështatej edhe Maqedonisë edhe Bullgarisë. Por kjo u takon palëve. Ne jemi këtu që të ofrojmë zgjidhjet më të mira”, deklaroi Orban sipas DW.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se vendi nuk duhet t’i humbë shpresat rrugës drejt BE-së, edhe pas vendimit për ndarjen e procesit nga Shqipëria. Ai tha se i vjen keq për këtë që po ndodh, dhe që vendit i duhet sërish vendi të jetë viktimë e bilateralizimit dhe jo e përmbushjes së kritereve të Kopenhagës.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për problemet që kemi. Është mirë që kemi miq në BE, të cilët duan të përhapin zërin tonë në BE, një nga ata miq është Viktor Orbani. I uroj gjithë të mirat qeverisë shqiptare, që të përfundojë shpejt negociatat dhe të bëhet anëtare e BE-së. Shpresoj që edhe ne të jemi pjesë e asaj familjeje dhe në atë tryezë. Më vjen keq që për shkak të këtij vendimi, vetëm dy palë mbetën të kënaqura, politikanët e fqinjit tonë lindor dhe opozita në vend”, tha Hristijan Mickoski.

Mickoski theksoi se në takimin kokë më kokë me Orbanin ata kishin diskutuar edhe për projekte strategjike si transporti veri-jug dhe korridori energjetik, që lidh Ballkanin me Hungarinë dhe i cili ka një rëndësi të madhe për sigurinë energjetike dhe rritjen ekonomike të të gjithë rajonit.

Fill pas formimit të qeverisë së re në Shkup kryeministri, Hristijan Mickoski, kishte rënë dakord me Orbanin që Maqedonia e Veriut të merrte nga Hungaria një kredi me vlerë prej 500 milionë eurosh. Më 17 shtator ligji për kredinë hungareze u miratua në Parlamentin maqedonas. Në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri hungarez u pyet për origjinën e parave të kredisë dhe nëse ato vijnë nga kreditë kineze që merr Hungaria.

Orbani tha se sipas marrëveshjeve që ka Hungaria me Kinën të gjitha paratë që vijnë nga Kina shkojnë për projekte konkrete për zhvillim në Hungari. “Para kineze nuk mund t’ju japim, ndërsa para evropiane mundemi dhe do t’ju japim”, tha Orban. Kryeministri Orban tha se nga këndvështrimi i Hungarisë, çështja më e rëndësishme mes dy shteteve nuk është ekonomia, çështje parësore është siguria kombëtare dhe lufta kundër emigracionit.

“Në Hungari të gjitha çështjet i zgjidhim nga aspekti i sigurisë dhe kemi bashkëpunim më të zhvilluar me vendet të cilat janë më të rëndësishme për sigurinë tonë nacionale. Maqedonia e Veriut është shtet shumë i rëndësishëm për sigurinë e Hungarisë, sepse ndodheni në rrugën e emigracionit. Nëse ka nevojë, kemi vullnet t’ju ndihmojmë në të gjitha mënyrat”, tha Orbani. “Ajo që po serviret (nga BE-ja) është një goditje për krenarinë kombëtare të Maqedonisë së Veriut”, shtoi Orbán sipas AP.

SHKARKO APP