Viti i ardhshëm do të jetë edhe më shkatërrues se 2020-ta
Covid-19, i kombinuar me ndryshimin e klimës dhe konfliktet, pritet të përkeqësojë krizat tashmë të gjata në shumë vende në zhvillim vitin e ardhshëm, sipas një raporti nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC).
Ndikimi i drejtpërdrejtë i Covid-19 në zonat ku operon IRC ishte më pak i dëmshëm sesa pritej, tha të martën CEO i organizatës, David Milliband. Pandemia erdhi me efekte anësore katastrofike, duke përfshirë ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit, urinë dhe largimin e njerëzve nga spitalet, apo trajtimin e dobët për sëmundje të tjera, përfshirë malarjen.
Varfëria ekstreme e shkaktuar nga bllokimet dhe mbylljet e kufijve, mund të shkaktojë zi buke në Sudanin e Jugut, Burkina Faso dhe Jemen, paralajmëron organizata. 20 vendet në listën e IRC përfaqësojnë vetëm 10% të popullsisë globale, por përbëjnë 85% të atyre në nevojë humanitare.
”Mungesat e furnizimit të vaksinave Covid-19 nënkuptojnë që shumica dërrmuese e njerëzve, në kontekste të brishta dhe humanitare edhe në shtete me të ardhura të ulëta apo të mesme, nuk do të jenë në gjendje të përdorin një vaksinë Covid-19 në 2021”, tha ai.