Vizioni për Libra-n/ Monedha e Facebook premton një epokë të re të përfshirjes financiare
Ekzistonin më shumë se 2,400 kriptovaluta deri në mesin e 2019. Shumica ishin thuajse të pavlefshme, të panjohura dhe të destinuara për të qenë të tilla. Megjithatë, kur një kriptovalutë tjetër u lajmërua në Qershor 2018, tërhoqi vëmendje të gjerë. Libra premtoi thuajse të njëjtat gjëra si valutat e tjera dixhitale: do të funksiononte në mënyrë më efektive se sa teknologjitë ekzistuese të pagesave dhe do të shmangte luhatjet e mëdha në vlerë si tek kriptovaluta më popullore, Bitcoin. Akoma më tërheqës ishte premtimi se do të shënjestronte miliarda njerëz me akses të kufizuar tek sistemi financiar botëror dhe revolucionarizonte sistemin financiar.
E vetmja arsye se pse kjo tërhoqi interesin e njerëzve, ishte për shkak të mbështetësit kryesor të projektit, që është Facebook. Pak kohë pas skandaleve me privatësinë e të dhënave, gjiganti i rrjeteve sociale u shfaq me një plan për të krijuar një kriptovalutë, në koalicion me gjigantë të tjerë të teknologjisë financiare, duke premtuar nxjerrjen në treg të kësaj në fillim të vitit 2020. Disa muaj pas lajmërimit, Libra u sulmua nga të gjitha anët. Fansat e kriptovalutave thanë se Libra nuk është një kriptovalutë e vërtetë, pasi thyen parimet bazë të promovuara nga komuniteti, përfshirë faktin se transaksionet e Libra do të varen më shumë tek besimi se sa tek provat matematikore. Ekonomistët paralajmëruan se kriptovaluta do të sfidonte kontrollin e politikave monetare. Politikanët dhe organet rregullatore në të gjithë botën u rreshtuan dhe nisën hetime kundër valutës, përpara se ajo të dilte në treg. Në Tetor të këtij viti, PayPal, një nga 28 anëtarët themelues të Shoqatës Libra, u tërhoq nga projekti. Një javë më vonë, platforma në rrjet eBay dhe kompanitë e pagesave Visa, Mastercard dhe Stripe, u larguan gjithashtu, duke lënë vetëm një kompani të pagesave në projekt, PayU.
Më vonë, ekzekutivi Mark Zuckerberg u paraqit në Washington përballë Komisionit të Shërbimeve Financiare, që i’u kundërpërgjigj atij duke i thënë që të zgjidhë njëherë problemet e Facebook përpara se të vazhdojë me Libra. Duke listuar problemet e Facebook me diversitetin dhe skandalet me reklamat politike, kreu i Komisionit, Maxine Waters tha se Zuckerberg është i gatshëm “që të shkelë mbi këdo, përfshirë konkurrentët, gratë, njerëzit me ngjyrë, vetë përdoruesit dhe madje edhe demokracinë nëse e dëshiron këtë”. Në dëshminë e tij, Zuckerberg pranoi se ai vetë mund të mos jetë i përshtatshëm për të drejtuar projektin Libra. “Jam i sigurt se ka shumë njerëz që mendojnë se mund të ishte kushdo përveç Facebook që ta propozonte këtë ide”, – tha Zuckerberg. Për përdoruesit, Libra është një propozim i drejtpërdrejtë. Ashtu si me çdo kriptovalutë tjetër, përdoruesi mund të blejë një numër të caktuar të monedhave Libra, në këmbim të një vlere të caktuar të valutës lokale, si dollari amerikan apo paundi britanik, nëpërmjet një portofoli dixhital, si ai që po zhvillohet nga filiali i Facebook, Calibra.
Calibra do të ketë aplikacionin e vetë dhe do të integrohet tek Messenger dhe WhatsApp, ku sipas Facebook do ta bëjë të mundur që dikush të dërgojë Libra më thjeshtë se sa dërgon një mesazh në tekst. Plani për të blerë një sasi ekuivalente të valutave ekzistuese për çdo monedhë Libra, premton stabilizimin e vlerës dhe përdorimin për transaksionet e përditshme. Elementi “kripto” qëndron tek decentralizimi, apo përdorimi i teknologjisë “blockchain”, që do të verifikojë sasinë e monedhës që mban çdo person. Zhvilluesit e Libra këmbëngulin se ajo nuk është vetëm një “monedhë e Facebook”. Shoqata Libra, që ndodhet në Zvicër, kishte 21 anëtarë në periudhën e krijimit, përfshirë Uber, Spotify, Vodafone, disa organizata jo-fitimprurëse dhe investues nga Silicon Valley.
Shoqata ka bërë të ditur se synon të rritet në 100 anëtarë përpara se të dalë në treg dhe secili prej tyre do të ketë të drejtë fjale të barabartë për të ardhmen e Libra. Megjithatë, shumë prej arkitektëve kryesore janë punëtorë të Facebook. Rrjeti social nisi menjëherë të krijojë stafin e njësisë “blockchain” nën manaxhimin e David Marcus, që është zv/presidenti i Messenger dhe që drejton tashmë Calibra e merr pjesë në bordin prej pesë personash të Shoqatës Libra. Në Shkurt 2019, njësia e Marcus bleu pa rënë në sy firmën Chainspace, në mënyrë që të punësojë stafin e tyre.
Objektivi: Personat pa llogari bankare
Ambicia e Libra për t’u bërë një valutë botërore varet kryesisht tek kapaciteti i Facebook. Nëpërmjet Facebook, WhatsApp dhe Instragram, kompania ka 2.5 miliardë përdorues aktiv, ku shumë prej tyre janë jashtë sistemit bankar. Për rrjedhojë, rrjeti social është thelbësor për projektin. Dante Disparte, një sipërmarrës dhe mbështetës i kriptovalutave, u caktua shefi i politikave dhe komunikimit i Shoqatës Libra pak javë përpara se projekti të bëhej publik në Qershor 2019. Ai ka thënë se ka ende shanse që Libra të dalë në treg në vitin 2020 dhe shtoi se ka 1,500 kompani të interesuara për t’u bërë pjesë. “Kemi një rrjet botëror pagesash që ngjason me rrjetin telefonik të gjyshërve tanë. Ekzistojnë 1.7 miliardë njerëz që nuk kanë llogari në bankë dhe prej këtyre, thuajse 1 miliardë kanë akses në rrjete telefonike low-cost dhe lidhje broadband, çka do të sillte një ndryshim botëror nëse i lidh këta në një mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurtë”, tha Disparte.
Megjithatë duket e dyshimtë që një kompani e medias sociale është kaq e interesuar në një valutë botërore. Shoqata Libra këmbëngul se aksesi tek të dhënat e pagesave do të jetë i kontrolluar rreptësisht dhe të dhënat e përdoruesve nuk do të ndahen me Facebook apo palë të treta, pa pëlqimin e tyre. Për rrjedhojë, Facebook mund të përfitojë nga integrimi i pagesave në platformat e veta, duke mbajtur përdoruesit brenda ekosistemit të vetë. Analistët thonë se Libra ka potencial për të pasuruar kompanitë që e mbështesin. Jashtë kompetencës qeveritare, këto kompani mund të kontrollojnë vetë fatin e tyre. Nëse valuta rritet mjaftueshëm, mund të ofrojë fitime që arrijnë miliarda. Ndërkohë që Libra do të mbajë një rezervë të valutave tradicionale ekuivalent me vlerën e monedhave Libra në qarkullim dhe një pjesë e këtyre investohet në aktive të sigurta, këto do të gjeneronin kthime. Nëse Libra kthehet në një valutë botërore, fitimi do të ishte gjigant. Facebook dhe partnerët e Libra nuk janë personat e vetëm të përfshirë në këtë fushë. Në krye të kriptovalutave ekzistuese me vlerë prej mbi 200 miliradë dollarë, qëndrojnë lojëtarë të tjerë të gatshëm për të përfituar. Kina po përpiqet të zhvillojë një valutë të vetë dixhitale, të mbështetur nga banka shtetërore dhe të përdoret nga disa prej kompanive më të mëdha të vendit si Alibaba dhe Tencent.
Një bankë e re botërore
Analistët thonë se një valutë tjetër gjigante dixhitale është e pashmangshme, por pyetja është se kush do të jetë pas saj. Sipas tyre, Libra apo projekti kinez janë më të pajisura për garën se sa Bitcoin, për shkak se do të jenë të aksesueshme ndaj masave dhe nuk kërkojnë shumë energji për t’u prodhuar apo për t’u bërë “mine”. Sipas studimeve, Bitcoin është i përgjegjshëm për emetimin e mbi 20 milionë ton dioksid karboni, ekuivalent me Bolivinë. Sipas Enrique Dans, professor i shkollës së biznesit të Madridit, problem qëndron te privatizimi i parasë, pasi shumë njerëz mund të pyesin se pse emetohet dhe manaxohet paraja nga një organizatë private. Libra mund të bëhet së shpejti një valutë që përdoret në shumë vende dhe kontinente në rrethana të ndryshme.
Kjo do ta kthente atë në një bankë botërore, e për rrjedhojë në një burim të rrezikut botëror. Pavarësisht se kompanitë thonë se nuk janë një bankë, ato do angazhohen në transaksione të ngjashme me bankat. Përveç shqetësimeve të zakonshme rregullatore mbi çështje si pastrimi i parasë dhe mashtrimi, Libra mund të përbëjë një kërcënim ndaj ekonomive lokale. Kjo do të jetë e dukshme në vende ku njerëzit nuk i kanë besë qeverive apo valutave, ku ndodhen edhe shumica e personave pa llogari bankare. Analistët thonë se në këto vende, njerëzit mund të preferojnë përdorimin e Libra në vend të valutave kombëtare. Për këto vende, do të jetë e vështirë të përdoren politikat monetare për të simuluar ekonomitë. Nuk është çudi që rregullatorët bankarë kanë pasur interes, ndërkohë që 26 banka qendrore kanë zhvilluar takime për të shqyrtuar Libra në Shtator 2019. Banka e Anglisë bëri të ditur se Libra duhet t’i përmbahet standardeve të njëjta me ofruesit tradicionalë, ndërsa Franca dhe Gjermania kanë kërcënuar ta bllokojnë valutën në Europë.
Në dëshminë në Kongres, Zuckerberg premtoi se Facebook nuk do të nisë sisteme të pagesave të Libra në asnjë vend, pa marrë miratimin rregullator. Por, me largimin e partnerëve kryesorë të pagesave, Libra nuk ka më eksperiencë mbi kërkesat rregullatore të lëvizjes së parasë, ç’ka pritet ta vonojë datën e prezantimit.
/SCAN Magazine