Vizita e parë papale në Irak do të mbahet pavarësisht rrezikut terrorist dhe të Covid-19
Pavarësisht kërcënimeve të Covid-19 dhe terrorizmit, vizita e parë papale në Irak pritet të fillojë të Premten, gjatë së cilës Françesku do të takojë komunitetet e krishtera dhe një nga udhëheqësit myslimanë më me ndikim në botë.
Për Papa Françeskun 84-vjeçar, do të jetë udhëtimi i tij i parë jashtë vendit për 15 muaj pasi pandemia ka kufizuar lëvizjet e tij. Kufizimet e reja Covid hynë në fuqi në Irak javën e kaluar, me orar të kufizuar lëvizjeje dhe një mbyllje të plotë tre ditore gjatë fundjavave, pasi rastet e regjistruara ditore u dyfishuan në më pak se një javë.
Të gjithë anëtarët e shoqërimit papal do të vaksinohen kundër virusit para nisjes, dhe distancimi shoqëror dhe mbajtja e maskës do të kërkohen me detyrim.
Qeveria irakiane ka premtuar siguri të lartë gjatë vizitës tre-ditore në gjashtë qytete. Megjithëse bombardimet dhe sulmet e tjera të dhunshme janë qetësuar në vitet e fundit, të paktën 32 njerëz u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën në një bombë vetëvrasëse në një treg në Bagdad muajin e kaluar.
Vizita e 33-të e Papa Françeskut jashtë vendit në tetë vitet e tij në krye të kishës Katolike Romake do të fillojë në Bagdad me një ceremoni në pallatin presidencial dhe një takim me presidentin Barham Salih dhe kryeministrin Mustafa al-Kadhimi. Papa do të takojë gjithashtu peshkopë, priftërinj dhe të tjerë në Katedralen Syro-Katolike të Zojës së Shpëtimit të qytetit.
Të Shtunën, ai do të udhëtojë në jug për në qytetin e shenjtë të Najaf për t’u takuar me Ajatollahun e Madh Ali al-Sistani, klerikun 90-vjecar mysliman Shia. Në vitet e fundit, Françesku ka ndërtuar marrëdhënie të forta me udhëheqësit myslimanë.
Burimi: The Guardian – SCAN