VOA: Raportimet mbi lidhjet e dyshuara të presidentit Vuçiç me grupe kriminale ngrenë pikëpyetje në Shtetet e Bashkuara
Në filllim të muajit maj, revista javore e gazetës Nju Jork Tajms, botoi një artikull të gjatë mbi presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç që përmbante hollësi mbi dyshimet për lidhjet e tij me një grup kriminal, pjesëtarë të të cilit po ndiqen penalisht nën akuzat për kryerjen e një sërë krimesh, përfshirë trafik droge dhe vrasje.
Artikulli tërhoqi vëmendje ndërkombëtare dhe jo vetëm në Ballkan, ku rrjete të gazetarisë investigative kanë raportuar më parë mbi dyshime të ngjashme, të cilat zoti Vuçiç i ka mohuar.
Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentonte mbi besueshmërine e pretendimeve që ngriheshin në artikullin e Nju Jork Times-it, megjithatë të paktën një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit e shpërndau lajmin në rrjetin e tij social.
Dyshimet e ngritura në artikull u shtruan edhe gjatë një seance dëgjimore në Kongresin e Shteve të Bashkuara mbi Ballkanin Perëndimor, muajin e kaluar.
Megjithatë, analistët e pavarur i shprehin hapur mendimet e tyre.
“Ishte një artikull tronditës dhe i tmerrshëm, që zyrtartët më të lartë të qeverisë janë kaq të lidhur me grupet kriminale. Mendoj se e kemi parë një gjë të tillë dhe në mjaft vënde të tjera, kjo ndërthurje mes qeverive autoritare dhe rrjeteve kriminale është një shqetësim në rritje”, tha për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, Gary Kalman, drejtor ekzekutiv i organizatës Transparency International në Shtetet e Bashkuara.
“Është e tmerrshme. Është vërtet shumë keq”, thotë Susan Rose-Ackerman profesore e ligjit dhe shkencave politike në universitetin “Yale” dhe bashkëautore e librit “Korrupsion dhe Qeverisje”.
Ajo i tha Zërit të Amerikës se lidhjet mes njerëzve që janë në pushtet dhe krimit të organizuar, krijojnë një formë ekstreme të korrupsionit politik.
Sipas artikullit të Nju Jork Times-it, lidhjet e policisë me grupin kriminal që drejtohej nga huligani i futbollit, Veljko Belivuku, ishin të dokumentuara.
Ndër të tjera, në artikull shkruhet se, “nuk ka shumë dyshime se Belivuku dhe grupi i tij janë në burg pasi EUROPOL-i arriti të dëshifronte aplikacionin për mesazhe telefonike ‘Sky – ECC’, të cilin ata e përdornin për të komunikuar”.
Autori i artikullit, gazetari Robert F. Worth shkruante se Belivuku kishte dëshmuar në një seancë gjyqësore “se banda e tij ishte organizuar për nevojat dhe me urdhër të Aleksandër Vuçiçit”.
Mes të tjerash ai vinte në dukje se grupi kishte frikësuar kundërshtarët politikë të zotit Vuçiç dhe kishte parandaluar tifozët në ndeshjet e futbollit, që të lëshonin thirrje kundër zotit Vuçiç.Gazetari thotë se ishte skeptik që Presidenti Vuçiç të mos kishte qenë në dijeni të atyre që kishte bërë ky grup duke qenë se zoti Vuçic “ushtron tani thuajse kontroll të plotë në çdo aspekt të jetës publike”, në Serbi.
Zoti Vuçiç është pjesë e politikës që nga vitet ‘90. Ai ka shërbyer si ministër i Informacionit në qeverinë e Slobodan Milosheviçit, ku ai drejtoi sulme të ashpra ndaj shtypit dhe mbështeti në mënyrë publike kriminelët serbë të luftës.
Forca e tij politike, Partia Përparimtare Serbe është në pushtet prej më shumë se 10 vjetësh, periudhë gjatë të cilës ai ka mbajtur gjithashtu edhe detyrën e kryeministrit.Këshilltarët për media të zotit Vuçiç nuk pranuan kërkesën për komente të dërguar nga gazetari Worth, por gjatë një interviste për televizionin pro qeveritar Happy Tv në Serbi, zoti Vuçiç tha se “artikulli absurd i Nju Jork Times-it ishte i porositur” dhe se ai e kuptonte se ishte një mesazh pikërisht në kohën që mbahet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Sebisë dhe Kosovës.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por kjo e fundit nuk e ka njohur kurrë pavarësinë e saj.
“Unë e di si punojnë ata, CIA po bëhet gati, CIA të sheh dhe nëse nuk je i mirë dhe i dëgjueshëm, ky është vetëm fillimi”, tha zoti Vuçiç në intervistën për ‘Happy TV’.
Prej vitesh, është bërë praktikë e zakonshme që autoritetet serbe të paraqesin çdo kritikë si tradhëti, komplot kundër vendit, ose komplot për të përmbysur qeverinë.
Si gazetari Worth edhe redaksia e gazetës Nju Jork Times i hodhën poshtë këto akuza.
Analistët që biseduan me Zërin e Amerikës vunë në dukje se aspekti më domethënës i artikullit ishte fakti se ishte publikuar në gjuhën angleze, në një media me integritet dhe që ka një numër të lartë lexuesish.
“Artikulli dha një tabllo të Aleksandër Vuçiçit dhe qeverisë të tij, duke e vënë atë në një kontekst ndërkombëtare, përderisa publikohet në Nju Jork Times”, tha për Zërin e Amerikës Tanya Domi, profesore në Shkollën për Çështjet Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias. “Të gjithë mund ta lexojnë artikullin”.
A është Serbia një partner i besueshëm për Shtetet e Bashkuara?
“A është ky artikull i besueshëm”, e pyeti senatori Bob Menendez Këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet, gjatë seancës dëgjimore të komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit mbi angazhimin amerikan ndaj Ballkanit Perëndimor, duke iu referuar Nju Jork Times-it.
“Besojmë se po. Nuk mund të flas mbi detaje të veçanta të artikullit, por absolutisht ka shumë korrupsion”, u përgjigj zoti Chollet, ndërsa në krah të tij qëndronte zëvendës ndihmës sekretari i Departamentit Amerikën të Shtetit, Gabriel Escobar.
“Atëherë cilat janë pritshmëritë reale, që Serbia, me një sfond të tillë, të jetë një partner i besueshëm?, pyeti zoti Menendez.
“Po e bëjmë këtë duke ditur të gjitha problemet dhe po mbajmë përgjigjës zotin Vuçiç dhe kolegët e tij për korrupsionin, për sjelljen dhe veprimtarinë e tyre”, tha zoti Chollet, duke vënë në dukje se korrupsioni është një problem serioz në të gjithë rajonin.
Por në një intervistë për shërbimin boshnjak të Zërit të Amerikës, Kurt Bassuener nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit, vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara nuk kanë vënë sanksione për korrupsion ndaj asnjë zyrtari të administratës së zotit Vuçiç, ashtu siç kanë bërë në vendet fqinje.
“Në thelb ata iu shmangën çështjes”, tha zoti Bassuener, duke iu referuar zyrtarëve të Departamentit të Shtetit. “Ata nuk u morën me thelbin e atyre që ngrihen në të. Dhe mendoj se ky është një tregues se në qendër të politikës së tyre është ulja e tensioneve në rajon”.
Zonja Domi beson se Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi po ndjekin idenë se Serbia është “një faktor qëndrueshmërie në rajon”. Por nëse synimi i kësaj politike ndaj Ballkanit Perëndimor është që të afrojë Serbinë me Perëndimin dhe ta largojë nga Rusia, ajo thotë se nuk ka prova se një strategji e tillë mund të funksionojë.
Serbia eshtë ndër të paktat vende në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe në vend ka ndenja të forta pro-ruse.
Zoti Kalman nga organizata Transparency International thotë se strategjia e Uashingtonit ndaj Serbisë mund të ndryshojë në të ardhmen.
“Mendoj se ekziston mundësia që SHBA, duke pasur parasysh rolin e Serbisë, mund të ushtrojë trysni për të përmirësuar gjërat atje,” thotë ai.
“Deri në cilën pikë janë të gatshëm të ushtrojnë presion dhe janë apo jo të shqetësuar nga aleancat, që qeveria serbe mund të krijojë me vende që paraqesin shqetësim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, dhe për këtë arsye Uashingtoni të tërhiqet, këtë nuk di ta them”, u shpreh zoti Kalman./VOA/