Von der Leyen kundër Rusisë: Putin më mirë e djeg gazin natyror, sesa ia shet Europës
Rusia vazhdon të përdorë gazin natyror si armë, edhe nëse kjo nënkupton shkatërrimin e tij në vend që ta shesë atë, tha në një deklaratë sot presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Moska ndërpreu furnizimin me gaz të BE-së në fillim të këtij viti si hakmarrje për sanksionet e vendosura nga blloku për pushtimin e Ukrainës.
“Rusia po djeg gazin e saj në vend që ta shesë atë, ” tha von der Leyen. Sjellja e Rusisë po krijon gjithashtu mungesa në tregun global të energjisë, duke çuar në rritjen e çmimeve”, shtoi ajo.
Për këtë arsye, BE-ja mbështet vendosjen e një kufiri për çmimin e naftës, duke shpjeguar se nga kjo do të përfitojnë edhe vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
“Por përgjigja jonë më e mirë ndaj kësaj situate është përshpejtimi i tranzicionit drejt formave të pastra të energjisë”, theksoi von der Leyen. Kjo është e vetmja përgjigje për krizën klimatike dhe atë të energjisë, e cila gjithashtu ofron mundësi të mëdha për rajone të tjera të planetit.
Europa do të investojë të paktën 4 miliardë euro në burime të rinovueshme të energjisë si hidrogjeni gjatë pesë viteve të ardhshme. Kjo do të nxisë edhe investime masive private, theksoi ajo.