Vrasja e 17-vjeçarit, Mbappe dhe portieri i Milanit “bashkohen” me protestuesit
Një polic ekzekutoi një 17-vjeçar me pistoletë pasi nuk iu bind urdhrit të tij pasi kishte shkelur rregullat e qarkullimit Rrugor, dhe kjo ngjarje po kthehet në trazira.
“Më dhemb për Francën time. Situatë e papranueshme. Ky engjëll i vogël iku shumë shpejt”, shkroi në Twitter Mbappe. Po ashtu, për këtë ngjarje të rëndë kanë reaguar edhe mbrojtësi i Barcelonës Jules Koundé dhe portieri i Milanit, Mike Maignan.
Vrasja u filmua dhe u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, duke nxitur zemërim. Policia tha fillimisht se ishte detyruar të hapte zjarr pasi adoleshenti kishte tentuar t’i përplaste me makinë, version i cili u rrëzua pas publikimit të videos.
Me mijëra të rinj dolën në rrugët e Parisit duke iu vënë flakën kazanëve të plehrave e duke hedhur fishekzjarrë në drejtim të policisë. Oficeri i policisë që ekzekutoi 17-vjeçarin e kaloi natën në paraburgim, ndërsa ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, bëri apel për qetësi.