Vrasja e 34 ushtarëve turq, nis hakëmarrja nga Erdogan
Në një ofensivë ushtarake ndaj regjimit sirian të mbështetur nga Moska, pas sulmit ajror ku mbetën të vrarë 34 ushtarë turq, Turqia ka rrëzuar dy avionë luftarakë sirianë, ndërsa ka shkatërruar më shumë se 100 tanke. Ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar, njoftoi të dielën nisjen e operacionit të quajtur, “Mburoja e Pranverës”, ndërsa u zotua se për çdo sulm ndaj forcave turke në Idlib do të ketë hakmarrje.
Tensionet mes Ankarasë dhe Damaskut u rritën ndjeshëm të enjten pasi regjimi i Assad sulmoi ushtarët turq, në veri të Sirisë. Ky veprim u shoqërua më pas edhe me tensionim të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë, të cilat shkuan edhe më tej sot, pasi në Stamboll u arrestuan 3 gazetarë rusë. Erdogan vendosi të mos pengojë më fluksin e emigrantëve sirianë që iu drejtohen vendeve të Europës, pas kritikave nga vendet e BE për sulmet në Siri. Në anën tjetër, SHBA-ja shprehu shqetësimin e sa dhe thirri një takim të NATO-s.
Vrasja e 33 ushtarëve turq ditën e enjte, ka sjellë reagime të menjëhershme nga shteti turk dhe rus të cilët nuk kanë nguruar të akuzojnë njëri-tjetrin për sulmin më të rëndë kundër ushtrisë turke në 30 vitet e fundit. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se trupat turke, të cilët u shënjestruan nga trupat siriane ishin midis “terroristëve”. Rusia tha se po dërgonte dy anije luftarake të pajisura me raketa në Detin Mesdhe, drejt bregdetit sirian.
Franca gjithashtu tha se “dënon me vendosmërinë më të lartë bombardimet intensive nga aviacioni i regjimit sirian dhe aleatëve të tij, veçanërisht Rusia”, duke përmendur një katastrofë humanitare të shkaktuar nga sulmet. Përfaqësues të BE-së dhe të NATO-s u kanë bërë thirrje palëve për të hequr dorë nga situata e tensionuar në vend.