Vrasja tragjike në Greqi: 3 shqiptarë si të dyshuar kryesorë, policia kërkon bashkëpunim me ambasadën shqiptare
Vrasja e nënës 20 vjeçare në lagjen Glyka Nera, në Athinë në sy të foshnjës, më 11 maj, mbetet ende e pazbuluar, pasi autorët e grabitjes dhe vrasjes ishin kujdesur me detaje për çdo gjë.
Sipas medieve greke kohët e fundit qarkullojnë informacione rreth “detajeve të reja” që policia ka në duar, por ende nuk ka zhvillime thelbësore.
Megjithatë pyetjet dhe dyshimet që ngrihen mbi origjinën e autorëve, flasin për shtetas të huaj, konkretisht shqiptarë.
Më parë bashkëshorti i 20 vjeçares ka identifikuar zërin e njërit prej autorëve, nëpërmjet një testi akustik, ku ka rezultuar se autori fliste shqip, sipas deklaratës se 32 vjeçarit.
Siç transmeton televizioni ‘Mega’ , sipas gazetarit Vassilis Lambropoulos, oficerët e policisë po hetojnë thellë rastin e vrasjes së nënës së re, dhe kanë pyetur të paktën 100 persona.
Sidoqoftë, pyetjet kryesore që mbeten pa përgjigje:
Pse nuk ka shenja dhune dhe gjurmë të ADN-së në thonjtë e 20-vjeçares?
Pse nuk i morën celularët e çiftit me vete ose pse nuk i shkatërruan ato?
Pse nuk dëgjuan zëra fqinjët?
Pse autorët nuk sollën me vete një shirit ngjitës, apo material tjetër për të lidhur viktimat?
Sipas informacioneve, autoritetet janë në shënjestër të tre personave nga Shqipëria . Në fakt, është kërkuar ndihma e ambasadës së vendit tonë, për të kontrolluar të kaluarën e tyre.
Në të njëjtën kohë, po zhvillohen hetimet për të gjetur automjetin e dyshimtë të errët, i cili është regjistruar nga kamerat e sigurisë në zonën e Glyka Nera, mbrëmjen e natës tragjike, raporton media greke.
Megjithatë, shumë shpejt, sipas ‘Mega’, priten zhvillime konkrete në zbardhjen e autorëve..