Vuçiç paralajmëron vaksinë kundër COVID-19 deri në fund të vitit
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha se vendi i tij po zhvillon bisedime me një vend, që e ka përfunduar vaksinën kundër COVID-19, dhe që ua jep atë popullatave të rrezikuara.
“Shpresojmë se para fundit të vitit mund ta kemi atë vaksinë. Do të ishte shpëtim për Serbinë dhe ekonominë tonë”, tha Vuçiç.
Vuçiç nuk tha se për cilin vend bëhet fjalë.
“Së shpejti do ta nënshkruajmë protokollin për bashkëpunim, por nuk mund t’ju them se cili vend është”, tha Vuçiç, duke iu përgjigjur gazetarëve në Beograd.
“Do të shohim që Serbia të jetë ndër 30 vendet e para që do ta marrë atë vaksinë”, shtoi ai.
Dhjetëra vaksina kundër COVID-19 janë në faza të ndryshme të testimit në gjithë botën.
Firma bioteknike amerikane Moderna tha të martën se vaksina e saj eksperimentale kundër COVID-19, ishte e padëmshme dhe nxiti përgjigje imune te të 45 vullnetarët e shëndetshëm, që morën pjesë në një studim të fazës së hershme.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara e mbështet vaksinën e Modernas, e cila së shpejti do të hyjë në fazën e fundit të testimit klinik.
Moderna tha se synon të regjistrojë rreth 30,000 njerëz për testimin e fazës së tretë që nis më 27 korrik.
Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Alergji dhe Sëmundje Infektive, ka shprehur “optimizëm të kujdesshëm” se së paku një vaksinë do të mund të zhvillohet deri në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2021.