Vuçiç: Zgjedhjet parlamentare mbahen më 26 prill

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shpallur 26 prillin e këtij viti si datë të zgjedhjeve të përgjithshme. Pjesa më e madhe e partive opozitare serbe kanë vendosur të mos marrin pjesë, duke e akuzuar Vuçiç për sundim autokratik.

Serbia pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare të dielën e 26 prillit, proces që shumë parti opozitare kanë thënë se do e bojkotojnë.

Me shpalljen e datës, presidenti Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se në 50 ditët e ardhshme secila parti do ketë mundësinë të prezantojë programet.

Grupimi Progresist Serb ku ai militon dhe udhëheq, parashikohet të dalë fitues dhe të vijojë dominancën deri tani 8-vjeçare në skenën politike.

“Inkurajoj qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje, të tregojnë seriozitet dhe përgjegjësi për vendin, dhe të zgjedhin alternativën më të mirë për familjet, por mbi të gjitha për Serbinë tonë të bukur. E rëndësishmja është të kemi një atmosferë demokratike dhe paqësore,” tha Vuçiç.

Grupi opozitar “Aleanca për Serbinë” ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, pasi gara do të ishte e padrejtë për sa kohë kreu i shtetit ka kontroll të plotë mbi mediet dhe procesin elektoral, dhe qeveria e tij akuzohet për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Të mërkurën një raport i observatorit të të drejtave të njeriut, Freedom House, e listoi Serbinë mes vendeve me demokracinë më të dobësuar në 10 vitet e fundit.

Vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe zyrtarët e Brukselit kanë ftuar opozitën t’i bashkohet garës për 250 deputetët e parlamentit.

SHKARKO APP