Vullkani nënujor në Paqësor ngjall frikë për cunami
Një vullkan nënujor shpërtheu në mënyrë spektakolare në Oqeanin Paqësor pranë shteti Tonga duke dërguar valë të mëdha që u përplasën përgjatë bregut.
Nuk pati raportime të menjëhershme për të lënduar apo për shkallën e dëmeve pasi komunikimi me kombin e vogël mbeti problematik.
Një video e postuar në rrjetet sociale tregoi valë të mëdha që derdheshin në breg në zonat bregdetare, duke u rrotulluar rreth shtëpive dhe ndërtesave.
Ushtria e Zelandës së Re tha se po monitoronte situatën dhe mbetet në gatishmëri për të ndihmuar nëse kërkohet.
Imazhet satelitore treguan një shpërthim të madh, një shtëllungë hiri, avulli dhe gazi që ngrihej si një kërpudhë mbi ujërat e katltërta të Paqësorit.
Shërbimet Meteorologjike të Tongës thanë se një paralajmërim për cunami ishte në fuqi për të gjithë arkipelagun dhe të dhënat nga Qendra e Paralajmërimit të Cunamit të Paqësorit treguan se ishin zbuluar valë prej 80 centimetrash.
Banorët e Samoas Amerikane u alarmuan për paralajmërimin e cunamit nga transmetuesit lokalë, si dhe këmbanat e kishave që ranë në të gjithë territorin.
Autoritetet në vendet e afërta ishullore të Fixhit dhe Samoas lëshuan gjithashtu paralajmërime, duke u thënë njerëzve të shmangin vijën bregdetare për shkak të rrymave të forta dhe valëve të rrezikshme.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se mund të ketë një fryrje të lehtë të ujit përgjatë brigjeve japoneze, por nuk pritej të shkaktonte ndonjë dëm. Faqja e lajmeve e Islands Business raportoi se një kolonë e trupave policore dhe ushtarake evakuuoi Mbretin Tupou VI të Tongas nga pallati i tij pranë bregut.
Në fund të vitit 2014 dhe në fillim të 2015, një seri shpërthimesh në zonë krijoi një ishull të vogël të ri dhe ndërpreu udhëtimin ndërkombëtar ajror në arkipelagun e Paqësorit për disa ditë. Tonga është shtëpi e rreth 105,000 njerëzve./REL