Wuhani rihap shkollat më 6 maj

Studentët e vitit të fundit akademik në qytetin kinez të Wuhanit, vendi i origjinës së koronavirusit, do të rikthehen në shkolla të mërkurën.

”Më 6 maj studentët e vitit të fundit do të rikthehen në shkolla, dhe kjo shënon një një fillim të ri për planin edukativ të këtij viti”, tha Xia Chunyin, nga zyra e arsimit në Wuhan.

Studentët do të kthehen në shkollë për t’u përgatitur për Gao Kao, provimin universitar të Kinës, i cili është shtyrë për një muaj, deri në korrik.

Xia tha që zyrtarët e shkollës kanë zbatuar një plan me 3 faza për të ndihmuar studentët të përshtaten në klasë, përfshirë ndihmën psikologjike për të ndihmuar kalimin nga mësimi në internet.

Tani për tani, vetëm studentët e vitit të fundit do të lejohen të kthehen në shkollë. Byroja e arsimit tha se pjesa tjetër e studentëve  do të kthehen në shkollë në disa faza, por ende nuk është përcaktuar një kornizë kohore për kthimin e tyre.

Wuhani është qyteti ku u shfaq koronavirusi në fund të vitit të kaluar.

Deri më tani në Kinë janë shënuar 4,633 viktima nga Covid-19 dhe janë regjistruar 82,880 të infektuar.

SHKARKO APP