Zbulohet pse Bullgaria i vuri veton Maqedonisë së Veriut që ”dogji” dhe Shqipërinë
Shqipëria u ”dogj” për negociatat dhe ngeli në vjeshtë për shkak të Maqedonisë së Veriut. Ministrja e Jashtme e Portugalisë, Ana Paula Zacarias, tha se ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian nuk ranë dakord për nisjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Bullgaria kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj. Mosmarrëveshja midis dy palëve ka të bëjë me çështje kulturore që kanë të bëjnë me gjuhën maqedonase dhe me kombësinë e heroit Goce Delčev.
Në të njëjta diskutime Maqedonia e Veriut ishte edhe me Greqinë deri sa arritën të zgjidhnin çështjen e emrit duke e ndryshuar në Maqedoni e Veriut.
Sofja zyrtare ka rindezur disa konflikte të moçme duke kërkuar që Shkupi të pranojë se gjuha maqedonase është thjesht bullgarishte dhe se maqedonasit janë në fakt bullgarë. Argumenti është që kombi maqedonas u krijua në vitin 1944 nga Josip Broz Tito dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë.
Bullgaria këmbëngulte se Goce Delčev, një figurë revolucionare maqedonase që ka luftuar kundër osmanëve, ishte në fakt bullgar. Pasi u bë kandidate e BE-së në vitin 2005, Maqedonia e Veriut pret për hapjen e negociatave që nga viti 2009.