Zelenskiy njofton kundërofensivë të re kundër forcave pushtuese ruse
Ukraina ka një plan të qartë për një kundërofensivë të re kundër forcave pushtuese ruse, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy, duke shtuar se nuk mund t’i zbulonte detajet.
Vitin e kaluar trupat ukrainase ndërmorën një kundërofensivë, por nuk ishin në gjendje të thyenin vijën e përforcuar të agresorit rus në jug dhe lindje të vendit.
“Kemi një plan të qartë për një kundërsulm, por nuk mund t’ju them detajet”, tha zoti Zelenskiy gjatë një konference shtypi në kryeqytetin Kiev.
Ai tha se ndryshimet në udhëheqjen ushtarake në fillim të muajit kishin lidhje me planin e ri në fushën e betejës. Ai tha se si rezultat i rrjedhjes së informacioneve po hartoheshin disa plane, pa dhënë hollësi të tjera.
Zelenskiy tha më herët se planet e Kievit për kundërofensivën e vitit e kaluar kishin përfunduar “në Kremlin” përpara se të fillonte operacioni. Ai nuk tha se si kishte ndodhur rrjedhja e sekreteve.
Presidenti Zelenskiy tha se 31,000 ushtarë ukrainas ishin vrarë që nga fillimi i agresionit rus dy vjet më parë, shifra e parë zyrtare pas më shumë se një viti.
Ai tha në një konferencë shtypi në Kiev se nuk mund të zbulonte numrin e të plagosurve sepse do të ndihmonte planifikimin ushtarak rus.
“31,000 trupa ukrainase janë vrarë në këtë luftë. Jo 300,000 apo 150,000. Putini gënjen. Por megjithatë, kjo është një humbje e madhe për ne”, tha presidenti ukrainas.