Zgjedhjet në Maqedoni, Qoku: Pas 18 vitesh, BDI e Ahmetit për herë të parë rrezikon shumicën

Në 15 korrik, qytetarët në Maqedoninë e Veriut do tu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme në Kuvend e qeveri.

Aktivisti politik dhe pedagogu Bekim Qoku në një lidhje me skype për Ora News nga Struga duke analizuar faktorin politik shqiptar atje tha se për herë të parë pas 18 vitesh BDI rrezikon të humbasë përballë koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Një risi tjetër në këto zgjedhje është dhe koalicioni parazgjedhor i partisë shqiptare Besa me LSDM e Zaev, që ndodh për herë të parë në historinë e pluralizimit të Maqedonisë së Veriut.

Qoku: Kemi një parti shqiptare në pushtet, BDI e kryesuar nga Ali Ahmeti. Kjio parti politike prej 18 vitesh qëndron në pushtet. Minus 18 muaj në 2006-2008 ku në pushtet hyri Partia Demokratike Shqiptare më në krye Arbën Xhaferi.Kjo parti për herë të parë rrezikon të humbasë mazhorancën për shkak të koalicionit aktual mes dy partive shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. BDI ka 10 deputetë.Nga të gjitha partitë shqiptare janë rreth 20 deputetë.

Janë tre subjekte politike që kanë për synim zgjedhësin shqiptar, BDI, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa dhe LSDM që është në koalicion me Lëvizjen Besa.Për herë të parë në pluralizimin politik në Maqedoni ndodh që një parti shqiptare bën koalicion parazgjedhor me një parti maqedonase.Ne kryesisht përqëndrohemi te forcat shqiptare sepse votat që do të shkojnë te koalicioni i LSDM me Besën konsiderohen vota maqedonase. Dy blloqet shqiptare janë kokë më kokë. Në shumë sondazhe ka një avantazh të vogël Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa që ka vënë në alarm BDI, e cila për herë të parë pas 18 vitesh rrezikon të humbasë zgjedhjet.

Sipas Qokut, BDI ka një bilanc negativ në garantimin e  drejtave të shqiptarëve.

Qoku: BDI është një parti e  konsumuar 18 vjet në pushtet, gjithmonë në krye të programeve zgjedhore dhe fushatave ka pasur barazinë por ka realizuar shumë pak. Sa mbaron fushata dhe zgjedhjet, programet zhduken nga interneti, nga selitë e partive, nuk gjenden më. Të njëjtat i riciklojnë, vetëm u ndryshojnë datat.

Qoku thotë se në Maqedoni janë 2 milion e 100 mijë banorë, prej tyre 1 milion e 800 mijë janë votues.

Për votuesit shqiptarë thotë se nuk ka statistika të sakta.

Qoku: Nuk ka statistika të sakta por nga censusi i fundit i 2002 janë 25% shqiptarë.Nga statistika të tjera që dalin nga shkollat apo sigurimet shëndetësore shqiptarët duhet të jenë mbi 30%.

Edhe pse në fushatë zgjedhore, Maqedonia e Veriut por përballet me një valë agresive të Covid-19.

Qoku thotë se Maqedonia ka menaxhimin më të keq në botë të pandemisë.

Qoku: Në Maqedoni situata është shumë e rëndë, më e rënda në rajon. Mortaliteti është më i lartë se të gjithë vendet e rajonit të mbledhura sëbashku. Kemi 150 vdekje për 1 milion banorë.Është shifër e tmerrshme dhe e rendit Maqedoninë me menaxhimin më të keq në botë, është në fund të listës sesi e menaxhon situatën e pandmeisë. Është një sistem i tejskajshëm i amortizuar i shëndetësisë. Me vite të tëra nuk ka investime.

SHKARKO APP