Zgjedhjet në Rusi, “vajza e festave” garon përballë Putinit

Gazetarja, aktorja dhe prezantuesja ruse Ksenia Sobchak do të kandidojë në garën presidenciale të Rusisë në mars. Sipas vetë fjalëve të 35-vjeçares, ajo do të jetë një “zëdhënëse për ata që nuk mund të jenë kandidatë”.

“Jam kundër revolucionit, por jam një ndërmjetëse dhe organizatore e mirë,” shkroi Sobchak në një letër të publikuar në të përditshmen ruse Vedomosti.

Ksenia Sobchak është vajza e Anatoly Sobchak, kryebashkiakut të ndjerë të Shën Peterburgut, i cili kishte marrëdhënie të afërta me Vladimir Putin.

Swiss Digital Desktop Reklama

E njohur si Paris Hilton-i i Rusisë, Sobchak u bë e famshme pasi prezantoi një reality show popullor në Rusi.

Swiss Digital Mobile Reklama

E konsideruar nga disa si “vajzë festash”, ajo i habiti të gjithë kur iu bashkua protestave të opozitës në vitin 2012, kundër zotit Putin.

Kandidatura e saj në zgjedhjet e vitit të ardhshëm është interpretuar si shenjë përçarjeje në opozitën ruse, ndërkohë që Sobchak deklaroi se ajo do të mbështesë liderin opozitar Alexei Navalny, i cili është ndaluar të garojë.

Kremlini ka mirëpritur kandidaturën e Sobchak, duke thënë se paraqitja e saj është tërësisht kushtetuese.

Fushata zgjedhore në Rusi do të fillojë në datën 7 dhjetor, kur partitë politike të mbajnë kongreset përkatëse për të caktuar kandidatët respektivë.

Presidenti aktual Vladimir Putin, i cili e mori këtë post për herë të parë në vitin 2000, nuk ka lajmëruar ende nëse do të kandidojë në këto zgjedhje.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?