Zgjedhjet presidenciale në Qipro, Anastasiades rikonfirmohet për një tjetër mandat
Me 56% të votave, presidenti qipriot Nicos Anastasiades mposhti në balotazh kundërshtarin e tij Stavros Malas, duke u konfirmuar për një tjetër mandat 5-vjeçar në krye të ishullit. Votuesit duket se kanë besuar në përpjekjet e presidentit për pajtim me popullsinë turke në Qipro dhe në masat që ai ka ndërmarrë për të nxjerrë ekonominë ishullore nga kriza.
Presidenti qipriot Nicos Ansatasiades është rikonfirmuar për një tjtetër mandat në krye të vendit, teksa votuesit i kanë dhuruar shumicën e votave në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, mbajtur një ditë më parë. Nxjerrja e vendit nga kriza ekonomike e 2013 dhe përpjekjet e tij për pajtim me turqit qipriotë në ishullin etnikisht të ndarë kanë bindur 56% të votuesve, përkundrejt 44% të cilët mbështetën kandidatin e majtë Stavros Malas.
Në fjalimin e tij të fitores, presidenti i rizgjedhur premtoi të vijojë punën për të gjithë qytetarët e ishullit.
“Një ditë e re po vjen dhe ajo kërkon bashkim, sepse kjo është ajo që na duhet për të bërë përpara,” u shpreh 71-vjeçari për mbështetësit e tij të mbledhur në Nikozia.
Në mandatin e tij të mëparshëm, zoti Anastasiades ia doli ta udhëhiqte ekonominë e Qipros drejt rimëkëmbjes, pas krizës në të cilën ishulli u përfshi për shkak të ekspozimit të Greqisë ndaj borxheve dhe rënies fiskale të sjellë nga administrata e mërparshme. Si lider i komunitetit grek qipriot, Anastasiades përcolli bisedimet për paqe me veriun e kontrolluar nga turqit.
KOHA JONË SONDAZH

