Zgjerimi i BE-së, Franca skepticizëm në Këshillin e Ministrave të BE

Propozimi i Francës ende jo zyrtar për reformimin e procesit të zgjerimit, u anashkalua të martën në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian. Shtetet anëtare të bllokut, diskutuan zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, ndonse propozimi i Parisit ka shkaktuar jo pak zhurmë në Bruksel. “Do të mirëpresim të gjitha propozimet nga shtetet anëtare. Por sot nuk diskutuam propozimin francez. Sigurisht që mësuam për të dhe pati shtete që e mirëpritën, por pati edhe vende që shprehen shqetësime lidhur me të”, deklaroi Tytti Tuppuranien, ministrja e Jashtme e Finlandës.

Vendimtar për procesin e zgjerimit pritet të jetë dhe komisioni i ri Europian i drejtuar nga presidentja e zgjedhur, Ursula Von der Leyen, që do të prezantojë propozimet e saj lidhur me këtë çështje pas dhjetorit. Përfaqësuesja e Finlandës në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, bëri të ditur se nuk ka asnjë ndryshim për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për këtë duhet pritur samiti i Kroacisë në 2020.

”Ne nuk arritëm ndonjë konkluzion të shkruar por dëshirojmë të dërgojmë një sinjal të qartë për përkushtimin tonë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sigurisht ritheksuam nevojën që reformat duhet të vazhdojnë në këto vende dhe diskutuam për hapat që do të ndërmerren në samitin e pranverës”.

SHKARKO APP