Zhvillimet në Libi, Katari mbështet qeverinë legjitime të njohur ndërkombëtarisht
Uniteti, stabiliteti, sovraniteti, integriteti territorial, pavarësia, mbrojtja e popullsisë dhe e kapaciteteve dhe pasurisë së Libisë janë diçka e mundur dhe që duhet realizuar. Kështu e nisi fjalën e tij Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme të Katarit, Sultan bin Saad Al-Muraikhi, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Takimit Ministerial të Këshillit të Ligës Arabe që u mbajt të martën përmes një video-konference, mbi zhvillimet e fundit në Libi.
Ministri Katarian nënvizoi qëndrimin e Katarit për domosdoshmërinë e respektimit të sovranitetit të çdo shteti dhe shmangien e ndërhyrjeve nga jashtë në punët e brendshme të vendeve të tjera. Në të njëjtën kohë ai theksoi nevojën për përpjekje të përbashkëta serioze të të gjitha palëve në Libi që procesi politik të zhvillohet me sukses. “Vetëm kështu mund të arrihet një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do të mundësonte stabilitetin e dëshiruar në Libi, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, si dhe do t’u ofronte qytetarëve të saj paqe e siguri”.
Al-Muraikhi përgëzoi Qeverinë Libiane të Pajtimit Kombëtar të njohur ndërkombëtarisht, për përpjekjet në zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve përgjegjës për torturimin e disa qytetarëve egjiptianë në qytetin e Tarhunës, si dhe përshëndeti masat a marra nga qeveria libiane për kthimin e sigurtë të këtyre qytetarëve në vendin e tyre.
Ai rikonfirmoi mbështetjen e Katarit për Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, dhe apeloi për zbatimin e Marrëveshjes së Skhirat-it [qytet në Libi] dhe konkluzionet e saj, duke u kërkuar të gjitha palëve t’iu rikthehen negociatave dhe dialogut dhe t’i japin fund tranzicionit, në mënyrë që të ruhet sovraniteti i Libisë dhe të përmbushen aspiratat legjitime të popullit libian.
Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme, tha se Katari përkrah të gjitha përpjekjet që synojnë përfundimin e konfliktit në Libi dhe përparimin drejt ndërtimit të shtetit të institucioneve, i cili mbron dhe promovon të drejtat e njeriut. Ai theksoi qëndrimin e palëkundur për të hedhur poshtë çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Libisë në të gjitha format dhe burimet e saj. ”Të gjithë e dimë me siguri se populli libian vazhdon të paguajë pasojat e konfliktit në Libi dhe se burimet e vendit po shterojnë, në vend që të shfrytëzohen për procesin e rindërtimit dhe arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm”.
Në këtë kontekst, Al-Muraikhi theksoi se Katari i fton të gjitha palët të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre ligjore e morale, të zbatojnë ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe të garantojnë mbrojtjen e qytetarëve e të objekteve civile. ”Përgjegjësit për krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, veçanërisht vrasjet sistematike dhe ekzekutimet extraligjore të provuara nga varret masive në zonat e kontrolluara nga milicitë paraushtarake të zbuluara së fundmi, duhet të dalin para ligjit”.