Zjarri shkatërron totalisht kampin më të madh të emigrantëve në Greqi
Një zjarr është raportuar të ketë shkatërruar kampin më të madh të migrantëve në Greqi.
Kampi i stërngarkuar Moria gjendet në Ishullin Lesbos.
Rreth 25 zjarrfikës dhe 10 pajisje tjera kanë luftuar zjarret ndërkohë që migrantët janë evakuuar. Gjendja shëndetësore e disa prej tyre është rënduar për shkak të ekspozimit ndaj tymit.
Në disa raportime është thënë se migrantët që kanë protestuar kundër rregullave për koronavirus mund të kenë nisur zjarrin, ndonëse ky pretendim nuk është konfirmuar.
Në zonën Moria strehohen rreth 13,000 persona, apo katër herë më shumë sesa kapaciteti zyrtar i kampit.
Zëvendës-guvernatori i Lesbosit, Aris Hatzikomninos, është raportuar të ketë thënë për një radio lokale se kampi është “shkatërruar plotësisht”.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis do të organizojë një takim të jashtëzakonshëm për këtë zjarr më vonë gjatë ditës./rel