Zoran Zaev: “Shqipëria e madhe” ide pa të ardhme

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, nuk e konsideron zhvillim të mirë për rajonin idenë e përsëritur të “Shqipërisë së Madhe”.

Zaev tha të martën në një intervistë për televizionin serb “N1” se e ardhmja e popujve të Ballkanit duhet të jetë Bashkimi Europian, jo bashkimi kombëtar.

“Jam i bindur se këto janë ide individuale, ide të pakicës, që nuk kanë të ardhme. Ne na duhet Europa pa kufij në të cilën popujt punojnë, bashkëpunojnë dhe komunikojnë me njëri-tjetrin.”

Kryeqeveritari maqedonas kujtoi problemet që ka Ballkani duke thënë se situata ka ndryshuar dhe rajoni nuk është më si dikur, një bombë me sahat.

Ai tha se mosmarrëveshjet e mbetura mund të zgjidhen me dialog.

“Nuk është e lehtë të gjesh zgjidhje. I kam kaluar vetë vështirësitë, nga ligji për përdorimin e gjuhës, te marrëveshja me Bullgarinë, te Marrëveshja e Prespës me Greqinë, te ndryshimi i emrit të Maqedonisë Veriore. Edhe Serbia, Kosova e vende të tjera, si Bosnjë-Hercegovina, mund ta zgjidhin çdo dallim mes tyre me dialog, diplomaci, dhe miqësi.”

Zaev sheh nismën për Mini-Shengenin si mundësi për të forcuar bashkëpunimin rajonal.

“Me kryeministrin Rama, me presidentin Vuçiç, me kryeministren Bërnabiç, kemi ndërtuar raporte të shkëlqyera për të avancuar në çdo aspekt bashkëpunimin mes serbëve, shqiptarëve, maqedonasve, në frymën e katër lirive themelore të BE-së. Shpresoj sinqerisht që kryeministri i mundshëm i Kosovës, Albin Kurti, do i bashkohet bisedimeve për interesin e të gjithëve,” deklaroi Zaev.

SHKARKO APP