Zuckerberg merret në pyetje në Senat, u kërkon falje familjeve të dëmtuara nga rrjetet sociale

Drejtori ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg, u ka kërkuar falje familjeve që thonë se fëmijët e tyre janë dëmtuar nga rrjetet sociale, gjatë një seance në Senatin amerikan.

“Më vjen keq për gjithçka që keni kaluar, është e tmerrshme. Askush nuk duhet të kalojë nëpër gjërat që kanë vuajtur familjet tuaja”, u shpreh Zuckerberg, i cili drejton Instagramin dhe Facebook-un.

Ai dhe shefat e TikTok, Snap, X dhe Discord u morën në pyetje për gati katër orë nga senatorët e të dyja palëve. Ligjvënësit donin të dinin se çfarë po bëjnë për të mbrojtur fëmijët në internet.

Zuckerberg dhe CEO i TikTok, Shou Zi Chew, ranë dakord vullnetarisht të dëshmonin, por drejtuesit e Snap, X (ish-Twitter) dhe platforma e mesazheve Discord fillimisht refuzuan dhe iu dërguan fletëthirrje të lëshuara nga qeveria.

Pas pesë shefave të teknologjisë ndodheshin të ulura familje që thanë se fëmijët e tyre ishin vetëdëmtuar ose kishin vrarë veten si rezultat i përmbajtjes së mediave sociale.

Por ishte z. Zuckerberg, shefi ekzekutiv i Meta, ai që u vu nën vëzhgimin më të madh, teksa dëshmoi para Kongresit për të tetën herë.

SHKARKO APP