Damian Gjiknuri: Presim opozitën për të nisur punën për Reformën Zgjedhore. Të gatshëm të futemi në zgjedhje lokale

Në një prononcim për media, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, deklaroi se Partia Socialiste po pret opozitën për nisjen e punës për Reformën Zgjedhore.

Gjiknuri u pyet edhe për Vetting-un e politikanëve, të propozuar nga Lulzim Basha, por Sekretari i Përgjithshëm i PS, iu përgjigj në mënyrë indirekte se ai është kundër, duke specifikuar se legjislacioni shqiptar ka mekanizma të tjerë që vlerësojnë pastërtinë e figurës së politikanëve.

“Unë e dhashë përgjigjen time pak më parë. Shqipëria ka legjislacion të mjaftueshëm për të bërë pastërtinë e figurës së politikanëve. Ne kemi ILDKP-i për deklarimin e pasurisë, është ligji i dekriminalizimit si dhe është dhe vota e qytetarëve në fund”, tha Gjiknuri.

Për sa i përket Reformës Zgjedhore, ku dhe ai është bashkëkryetari i propozuar nga socialistët, Gjiknuri theksoi se PS pret të vijë opozita dhe së bashku të caktohen sa më parë grupet e punës.

Unë në fakt pres të vijë opozita dhe të caktojnë dhe njerëzit e tyre për Reformën Zgjedhore. Ka një eksperiencë si nis Reforma Zgjedhore, ajo nis nga rekomandimet e OSBE-ODHIR. Ne i kemi tashmë rekomandimet e OSBE-ODHIR dhe le të fillojmë nga puna”, vijoi Gjiknuri.

Gjithashtu Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste tha se selia rozë është e gatshme të futet në garë në të gjitha bashkitë, ku do të shpallen zgjedhjet lokale nga gjykata Kushtetuese.

Patjetër që Partia Socialiste është e gatshme të konkurojë në të gjitha bashkitë që do të ketë zgjedhje dhe që do të dekretohen nga presidenti”, tha Gjiknuri.

SHKARKO APP