E diela e protestës së banorëve në Bërxullë: S’ka Europë, por vetëm gropë!

E diela është kthyer në protestë nga ana e banorëve në Bërxullë. Ata janë kundër ndërtimit të aksit Thumanë-Kashar, kjo për shkak të shpronësimit të cilësuar të padrejtë nga ana e tyre. Një prej banorëve të zonës ka deklaruar se shteti nuk do t’ia dijë për banorët. Ajo tha se ka rreth 5 muaj që protestojnë dhe se me ndërtimin e autostradës tokat bëhen të paaksesueshme, përveç pretendimit për shpronësimin e padrejtë të pabarabartë me çmimin e tregut.

“Për banorët nuk po pyet as shteti as njeri. Kjo firma ka qenë e PD-së, tani është kthyer me PS-në. Ky shtet nuk do t’ia dijë për banorët. Vetëm mbledh firmat për të marrë paratë e veta. ne po shkojmë 5 muaj këtu. Nuk do presim edhe shumë, policia na pret te rruga por edhe ne do e mbrojmë të drejtën tonë. Nuk mund të bëjmë gjyq për shtëpitë tona që kemi punuar gjithë jetën. Nuk mund të ikim me një firmë.

Unë kam 7 dynym tokë. Këtu bëhet autostrada dhe ne nuk e aksesojmë dot. Unë shtëpinë time do e mbroj deri në minutën e fundit. shtëpinë time nuk e lëshoj, do bëhem hero këtu. Shteti shqiptar është vetëm për të vjedhur, nuk e mbron popullin. Ka vetëm padrejtësi, prokurori jo, shtet jo.

Problemi ka shkuar në Parlament por bëjnë një sy qorr. Dikur i binte PS-ja bilbilit, sot i bie PD. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe ata. Ata vetëm tallen me popullin. Këta i bien bilbilit, ata miratojnë ligje. Ligjet nuk zbatohen për popullin, i bëjnë ligjet që kur të vijnë në opozitë t’i kenë për vete prapë. Ne do reagojmë në mënyrat më të këqija, do vijnë ata të më vrasin, do i vras dhe unë, me gurë me sfurk, armë nuk kam përdorur dhe nuk përdor. Le të vijë firma të sqarohet me popullin”, u shpreh ajo.

SHKARKO APP