A ka media fytyrën e shoqërisë?

(Ky editorial shikohet më i plotë si video ndaj kliko)

A ka media fytyrën e shoqërisë?

Shkruar nga Daniel Muçaku-

Mbrëmë në në një prej sallave të Kryeministrisë ishte organizuar nga gazetarja e talentuar e kulturës, Jetona Koçibelli një ekspozitë që përkonte me Ditën e Gazetarit.

Kishte shumë gazetarë, të vjetër e të rinjë. Ishte edhe kryeministri Rama, si shef qeverie por edhe si analist e gazetar i dikurshëm në gazetën më të madhe shqiptare, KOHA JONE.

Drejtuesja Jetona Koçibelli tha që në krye të fjalës së saj se “Si të jetë shoqëria, atë fytyrë ka edhe media”.

Një e vertetë e pranueshme, ndonëse në kohë të ndryshme ka qenë media e shkruar që i  ka paraprirë shoqerisë në kurajo dhe emancipim.

Sot jetojmë në një botë digitale, ku sejcili në sensin figurativ ka gazetën e tij personale në shtëpi që del online me të vertetat sipas tij apo saj dhe ku shoqeria noton në një det informacioni, natyrisht me të shpejtë, por shumë herë në kaos e dezinformim total.

Nëse dikur ndër vitet 1991 deri 2000 e kusur kishte rregulla loje në media, pavarësisht se mund të kishte edhe militantizëm partiak në media të caktuara, por sot moria e portaleve pa rregulla dhe pa profesionalizëm po bën namin, duke zhbërë në shumë raste edhe të qenurit gazetar.

Për të qenë realist media në këto 33 vite ka evoluar, qoftë në teknologji, por edhe në mënyrën e të bërit të lajmit.

Ndërkohë media e shkruar pothuaj ka vdekur, sepse teknologjia po ecën shumë shpejt dhe duhet të përshtatesh pasi edhe shoqeria është bërë më e padurueshme në lexim.

Brezi i mesëm dhe ai i moshuar akoma beson të media tradicionale, ndërsa brezi i ri është tjetër botë; kërkohet facebook, youtube, etj, çka e nxjerr nga pak e përditë jashtë loje televizionin.

Pra ndryshon teknologjia e informacionit ndaj edhe shoqeria duhet të përshtatet.

Moria e mediave të sotme turren se kush kap me shumë klikime dhe dollarë nga rrjetet sociale, dhe pak merakosen për vertetësinë e lajmit apo mesazhin që duhet ti japin si profesionistë të fushës mediatike.

E themi këtë pasi edhe mediat tradicionale po humbin nga pak e përditë shtyllën kurrizore që kishin në raport me lajmin, dhe po shkojnë pas urdisë së portaleve që nuk japin lajme apo analiza në favor të publikut, por vrapojnë se kush jep me shumë klikime, qoftë edhe lajm vulgar apo i sajuar, pra pa qenë lajm.

Në ekspozitën e mbrëmshme Jetona Koçibelli u mundua të jap historinë e medias në këto 33 vite, duke dhënë mesazhin se media nuk duhet të rend pas skupit dhe lajmit të pa verifikuar, ndonëse shoqeria sikur joshet nga këto lajme që nuk janë të verteta.

Sot fjala vjen një portal X apo Y, fut një lajm krejt të  pavertetë, por që mileti turret duke e lexuar se e josh gënjeshtra, e keqja shkon me tej pasi këtë fakenews e marrin pa e verifikuar pothuaj të gjitha portalet. Dhe gënjeshtra e njerit bëhet si lajm në krejt portalet.

Mund të shkatërrosh jetën e tjetrit pa mëshirë vetëm e vetëm që ti të shtosh klimet dhe fitimet personale.

Kjo nuk është gazetari!

Në këtë vorbull të rrëmujshme dhe të madhe të rrjeteve sociale nuk ka ligj apo rregulla. Nëse prekësh padrejtësisht nuk e hedh dot në gjyq sepse nuk ka asnjë adresë iks portal, as emër se kush e drejton.

Ata turren se kush sajon apo gënjen me shumë duke i shkuar për shtat pjesës së shoqerisë që do të vetmashtrohet apo të joshet nga sulmet ndaj kundërshtarit, edhe kur e di se është mashtrim.

Tani pyetja shtrohet: Kush është fytyra e vertetë e medias së sotme; është media siç është shoqeria apo shoqeria do këtë media?!

SHKARKO APP