Arben Ahmetaj shpallet në kërkim ndërkombëtar

(Ky editorial shikohet më i plotë si video)

Ish zv/kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ai që na përfaqësonte në konferenca ndërkombëtare, tani kërkohet në të gjithë botën të arrestohet nga SPAK.

Arben Ahmetaj ka lëshuar sinjale se ndodhet në Londër, por askush nuk e beson këtë sepse ai ndodhet në një shtet që nuk e pranon ekstradimin. Një mundësi e vetme mbetet që ish-numri dy i qeverisë shqiptare të ketë kërkuar azil politik në këmbim të dorëzimit të materialëve dhe dokumentave për korrupsionin e qeverisë shqiptare.

Por a ka më turp se sa kjo që po ndodh që njeriu më i rëndësishëm, pas Edi Ramës, në qeveri tani  të kërkohet me polici dhe qen policie se kush është fshehur, ndërkohë që deri dje ai ishte shteti dhe qeveria, sepse kishte autoritet absolut si zyrtar i lartë.

Arben Ahmetaj duhet të bëjë një akt civil dhe politik që të vijë e të dorëzohet te autoritetet shqiptare dhe nga burgu të mbrohet, nëse ka fakte dhe dokumenta që e mbrojnë. Bile e mira do të ishte që ai të na rrefejë për çfarë di dhe çfarë ka bërë qeveria e cila drejton Shqipërinë.

Vetëm kur e mendon se para një viti e kusur Arben Ahmetaj pritej në aeroport me polici dhe shoqërohej me sirena nëpër rrugët e vendit, kurse tani ato sirena policie po e kërkojnë për ta arrestuar; pra e gjitha kjo ta zhbën qeverisjen e sotme.

Imagjinoni ish-zëvëndës kryeministrin e Shqipërisë duke u fshehur dhe maskuar rrugëve të botës, bile disa thonë se do të bëjë edhe operacion plastik që të mos kapet në rrugë, tamam si në ato filmat me mafie.

Autoriteti i kësaj mazhorance qeverisëse është në rënie prej këtyre arrestimeve, por me keq është opozita, ndaj nuk ka më keq për demokracinë shqiptare se sa kjo situatë, ku qeverisja kapet në korrupsion kurse opozita vazhdon në kalbësinë e saj të përvitshme.

Në çdo vend demokratik po të kishte ndodhur kjo që numri dy i qeverisë të kërkohet nëpër botë për tu arrestuar, mënjeherë vendi do të kishte shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Por në Tiranë nuk ka zgjedhje të parakohshme, siç nuk ka as edhe protesta nga opozita. Të dyja palët janë të kënaqura me pozitat që kanë sot, ndërsa populli zhgënjëhet se kush i drejton.

Ndërkohë Arben Ahmetaj feston andej ku është fshehur duke ditur se çudia më e madhe në Shqipëri zgjat vetëm tre ditë!

SHKARKO APP