As Bill Klintoni nuk e bindi Albin Kurtin!
(Ky editorial shikohet më i plotë si video)
Albin Kurti po qëndron si Oso Kuka dikur, pa iu dridhur syri nga presionet europiane dhe amerikane.
Kryeministri kosovar nuk heq dorë nga vendimi i qeverisë së tij pasi e adreson sherrin dhe konfliktin të sajuar nga Serbia, ndërkohë që BE dhe SHBA vendosen sanksione ndaj Kosovës, duke harruar Beogradin.
Albin Kurti edhe pas fjalës së ish-presidentit amerikan Bill Klinton në Tiranë nuk pranon të zbusë qëndrimin e tij. Bill Klinton ishte Presidenti amerikan që i dha lirinë dhe pavarësinë Kosovës.
Dje nga Tirana ishte Bill Klinton që tha këto fjalë: “Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më në dorën time, por të kosovarëve. Mendoj që autoritetet kanë bërë një gabim për të zhvilluar zgjedhje për katër komuna, kur votimi ishte bojkotuar (nga serbët),” tha ish-Presidenti Clinton në fjalën e tij të mbajtur në Tiranë.
Klinton theksoi se “është e lehtë për shqiptarët, tashmë në shumicë, të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të paraqitur argumentin e tyre. Por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është që duhet ta ndalim këtë marrëzi”.
”Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke patur tension? Ka njerëz që jetojnë aty. Kanë nevojë që të kenë një qeverisje të denjë dhe qytetarët kanë nevojë t’u thuhet gjithmonë “ju duhet të votoni,” tha ish-Presidenti amerikan Clinton.
Pra Bill Klinton lëshoi mesazhe për Prishtinën zyrtare, por duket se kryeministri Albin Kurti nuk lëshon asnjë fije në raport me ato çfarë ka deklaruar për katër komunat në Veri të kosovës. Pikërisht sot ishin në Prishtinë kryeministri i Hollandës dhe kryeministri i Luksemburgut, në përpjekje për të gjetur zgjidhje kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë. Por Albin Kurti nuk dha asnjë shenjë tërheqje.
Ndërkohë mësohet se kryeministri shqiptar Edi Rama pritet të zhvillojë në datat 6 dhe 7 korrik një tur në Ballkan, ku do të bëjë takime me krerët e qeverive të këtij rajoni.
Këto takime do të zhvillohen në kuadër të procesit të Berlinit. Sipas informacioneve, kryeministri Rama do të ndalojë në Beograd, Sarajevë, Prishtinë, Shkup dhe Podgoricë.
Më herët kryeministri Edi Rama në një intervistë për mediat, deklaroi se nisma “Ballkani i Hapur” ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer misionin për të cilin lindi. Sipas tij, tashmë vendet e Ballkanit duhet të fokusohen tek Procesi i Berlinit.
Turi i Edi Ramës duket në shërbim të paqes në Ballkanin Perëndimor, por nuk kemi asnjë shenjë tërheqje nga Albin Kurti.
Kryeministri kosovar është mbyllur në “kullën e tij”, paçka se jemi 162 vite me vonë nga ajo që bëri shqiptari trim, Oso Kuka.