Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës: Zgjedhje pas Reformës zgjedhore
Për herë të parë një institucion ndërkombëtar flet troç për nevojën e domosdoshme të zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, në një deklaratë pas vizitës së raporterëve të saj në Tiranë, kërkon nga palët politike që të përfundojnë sa më parë reformën zgjedhore për të çuar më pas vendin në zgjedhje të parakohshme. Në deklaratën zyrtare, zgjedhjet nënkuptojnë të vetmen mënyrë për të zgjidhur krizën e pazakontë në Shqipëri. Duke cituar qëndrimet e dy raporterëve që vizituan Shqipërinë, deputetët Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, KiE thotë në deklaratë se “reforma zgjedhore e ndjekur më pas nga zgjedhjet, mund të jetë thelbësore për tejkalimin e krizës politike. Të gjitha forcat politike, përfshirë opozitën parlamentare dhe jashtëparlamentare, duhet të përfshihen plotësisht në procesin e reformës zgjedhore në mënyrë që të adresojnë mangësitë e shënuara gjatë zgjedhjeve të kaluara, dhe të vendosin një herë e përgjithmonë një kornizë për zgjedhje demokratike”. Ky qëndrim i KiE rrëzon gjithë justifikimet e kryeministrit Edi Rama se zgjedhjet e parakohshme nuk i lejojnë ndërkombëtarët. Tashmë jo vetëm zgjedhjet shihen si zgjidhja e vetme, por janë një kërkesë konkrete ndaj mazhorancës.
Deklarata e KiE për zhvillimet në Tiranë, ndryshe nga gjithë qëndrimet e tjera të ndërkombëtarëve është një analizë e ftohtë dhe realiste e asaj çfarë po ndodhë në Shqipëri. KiE dënon bojkotin e opozitës dhe djegien e mandateve, por vetëm një fjali është kritika e vetme ndaj opozitës në Shqipëri. Pjesa tjetër e deklaratës, nga fillimi deri në fund është një goditje e fortë për qeverinë “Rama”, opozitën fiktive në Kuvend dhe gjithë mazhorancën. KiE kritikon qeverinë “Rama” për mungesën e demokracisë reale në vend, për vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi, për qëndrimet ndaj kreut të shtetit, si dhe për klimën e përkeqësuar të mediave në vend. Deklarata e KiE është e pamëshirshme me gjithë propagandën qeveritare dhe të një pjesë të ambasadorëve në Tiranë, kur thotë se qeveria nuk duhet të bëjë me premtime boshe, por të mendojë për zbatimin e një demokracie funksionale në vend. Pra, qeveria “Rama” në sytë e ndërkombëtarëve sot po akuzohet se ka krijuar një shtet hibrid ku nuk ka më demokraci funksionale. Dhe kur ndërkombëtarët flasin në këtë gjuhë, kjo do të thotë se vendi ka hyrë në sisteme që lidhen me autoritarizmin, autokracinë dhe jo me vlerat e BE. Përfaqësuesit e KiE kërkojnë nga mazhoranca që të zhvillojë dialog real me opozitën për reformat e rëndësishme. Kjo deklaratë vjen pas qëndrimeve të PS për reformën zgjedhore, ku duket hapur se kërkon të anashkalojë opozitën reale të vendit. Qëndrimi i KiE është masakrues edhe për sulmet e qeverisë dhe PS-së kundër Presidentit të Republikës. Raportuesit e këtij institucioni ndërkombëtar i kujtojn qeverisë “Rama” se Komisioni i Venecias ka deklaruar se “shtyrja e datës së zgjedhjeve nga kreu i shtetit nuk e justifikon nismën për shkarkim e tij”. Teksa citojnë qëndrimin e Komisionit të Venecias për Presidentin, raporterët bëjnë dhe një paralajmërim të posaçëm për PS-në kur thonë se “forcat politike duhet të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë tensionet dhe të minojë më tej pluralizmin politik në vend”. E thënë ndryshe, vijimi i çmendurisë së PS kundër kreut të shtetit nga Asambleja e KiE do të shihet si një minim i pluralizmit politik në vend. Pjesë e kritikave të raporterëve të KiE është dhe reforma në drejtësi, e cilësuar nga Edi Rama si “histori suksesi”. Në qëndrimin e tyre, përfaqësuesit e organizatës ndërkombëtare thonë se është shqetësuese që kaq kohë pas nisjes së reformës Shqipëria nuk ka gjykata dhe nuk ka ende produkt të kësaj nisme. Qëndrimi i Asamblesë së KiE, pas kushteve të Bundestagut gjerman, jo vetëm tregojnë se cilat janë problemet reale që ka sot Shqipëria, por edhe sugjerojnë zgjidhjen e tyre me anë të zgjedhjeve. Tashmë mbetet që Edi Rama të mos sabotojë reformën zgjedhore duke e shtyrë atë pafundësisht./M.Xhani/