Berisha apo Basha, cili është i korruptuar?
(Ky editorial mund të shikohet më i plotë si video)
Berisha apo Basha, cili është i korruptuar?
Kacafytja në PD vazhdon, bile më e egër se kurrë ndonjëherë. Berisha akuzon fort Bashën se është peng i kryeministrit Rama, ndërsa Basha sulmon ish-kryeministrin Berisha se është i korruptuar dhe ka halle personale me drejtësinë.
Të dy thonë se janë korrekt me ligjin dhe të dy akuzohen se janë të korruptuar. Por Lulzim Basha i ka hedhur një sfidë publike kundrejt Berishës, duke i kërkuar atij të pranojë ligjin për vetting të politikanëve, e ku kryesisht flitet për Sali Berishën, sipas Bashës.
Ja se çfarë tha sot Basha: “Ka vetëm një rrugë që të tregojmë kush është i korruptuar e kush jo, kush është peng e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, le të votojmë vetingun për politikanët dhe familjarët e tyre.
Të nisë transparenca nga unë e më pas të gjithë këta që sot e 32 vite mbajnë peng Shqipërinë. Kjo është rruga e vetme për të çliruar pengjet, luftuar korrupsionin dhe pastruar politikën”, shprehet Basha në një reagim në Twitter.
Pra Basha i bën sfidë të hapur Berishës; hajde e voto dhe kontrollohu për krejt pasurinë tënde dhe të familjes! Sidomos familjes, thekson Basha.
Në fakt kjo akuzë mbetet e rëndë për Berishën, sepse nuk i vjen nga Edi Rama, por pikërisht nga Lulzim Basha, të cilin e solli në politikë në vitin 2005. Para dy vitësh ishte Basha që i hëngri kokën Berishës, natyrisht në sensin politik.
Atë që i bëri Lulzim Basha, nuk ia ka bërë as Perendia, ndaj përplasja do të jetë shumë e fortë. Me 29 korrik, pra nesër, Lulzim Basha i merr dhe PD zyrtarisht dhe pas kësaj Berisha nuk ka rrugë tjetër përvec të krijojë një parti të re politike.
Ndërkohë që të dy akuzojnë njeri-tjetrin për korrupsion, SPAK-u sipas ligjit, edhe me inisiativë mund të fillojë çështje penale bazuar në informacionet që Berisha dhe Basha po japin për njeri tjetrin për pasuritë familjare.
Nga ana e saj mazhoranca i ka akuzuar të dy se janë të korruptuar dhe që e kanë vendosur pasurinë nga korrupsioni me detyrat shtetrore.
Basha insiston: Sali hetohu dhe shpjego për pasuritë e familjes. Kurse Berisha akuzon se pasuritë e Bashës janë vendosur nga paratë që ka marrë në detyrë si ministër dhe nga mafia ruse.
Të dy e kanë mbushur opinionin publik me akuza dhe kanë shkatërruar demokratët, ndaj më mirë SPAK-u ti hetojë të dy