Berisha dhe Meta nuk e uruan Ramën
(Ky shkrim mund të shikohet më i plotë si video-editorial, kliko për ta parë)
Berisha dhe Meta nuk e uruan Ramën
Nga Daniel Muçaku-
Edi Rama u bë operim në spital. Një operacion jo i vështirë, por gjithsesi quhet operacion.
Kushdo shkon në dyert e spitalit nuk ndjehet mirë dhe është njerëzore që urimi për këdo që hyn e del nga aty të bëhet, ndonëse nuk e do si mik.
Edi Rama doli sot nga spitali. Fill pas arritjes në shtëpi ai publikoi një status në facebook ku falënderonte këdo që i ka shkruar apo uruar shërimin.
Ja se cfarë thotë Rama:“Një falënderim nga zemra kujtdo prej jush që këto ditë është interesuar për shëndetin tim.
Falë ekipit të përkushtuar mjekësor dhe pas ndërhyrjes së suksesshme, sot e lashë spitalin për të vazhduar protokollin e rikuperimit në shtëpi dhe pa mundur të gjej dot fjalët e mjaftueshme për t’i falënderuar mjekët e infermierët për përkujdesjen e tyre.
Besoj se do të kthehem shpejt mes jush dhe edhe njëherë shumë faleminderit për mbështetjen tuaj. Ju dua shumë, Edi”- përfundon kryeministri.
Në të gjithë botën e qyteteruar është normë urimi njerëzor nga politikanët jo vetëm për njëri tjetrin si aleat, porse edhe për kundërshtarin e tij politik.
U bë proverbiale në Angli kur ish-kryeministri Boris Jonhson ishte shtruar në spital dhe krejt klasa politike, edhe më kundërshtarët e tij historikë, u luten për shërimin e tij.
Kjo është pjesë e një normaliteti të një shoqërie që ka kulturë dhe njerëzillëk.
Por në Shqipëri, çuditërisht, as Sali Berisha dhe as Ilir Meta, të paktën publikisht nuk thanë një fjalë për Edi Ramën.
Edhe sikur formalisht, duhej dhe bile publikisht, sepse përçon një normalitet demokratik dhe njerëzor në shoqëri. Aq me tepër në Shqipëri, ku jemi gati të shqyejmë njeri tjetrin do merrej si mesazh për humanizëm.
Edhe nëse do të ishin Meta apo Berisha në spital, do të ishte krejt korrekte që kryeministri Rama të uronte shërimin e kundërshtarit.
Politika dhe pushteti mund të të bëjnë që të kacafytesh me njeri tjetrin, por jo deri te shëndeti!
Nuk kemi hallin se nuk e uruan Ramën, këta dhe të tjerë kundërshtarë, por te kultura, te ana njerëzore që duhet të manifestojnë për publikun liderët tanë politikë.
Mbi të gjitha duhet të jemi njerëz për njeri-tjetrin!