Berisha: Rama duhet rrëzuar me çdo kusht, me revolucion! Reagon PS: Prokuroria ta hetojë!
Ish-kryeministri Sali Berisha shprehet se opozita duhet të përdor çdo mjet për të larguar qeverinë “Rama” nga pushteti. Në një intervistë për “News 24”, Berisha thotë se qeveria që është përfshirë në trafikun e drogës duhet të largohet me aksion të fortë opozitar dhe revolucion.
I pyetur sesi mund të largohet Edi Rama nga pushteti, Berisha tha se opozitës i duhet të bëjë revolucion, pasi kryeministri do t’i vjedhë gjithmonë votat. “Ai largohet me revolucion, nuk ka forcë në botë që mund t’i rezistojë. Revolucioni sot është më i mundur se kurrë. Sa më monist bëhet Edi Rama, aq më i mundshëm është revolucioni dhe fitorja e tij”,- deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri shprehet se kryeministri ka sot në krah krimin dhe duket i fortë, por kjo nuk do të thotë se është i pathyeshëm. “Krimi është më i fortë se kurrë, dhe opozita ka bërë një betejë të jashtëzakonshme, ka sakrifikuar shumë. Sot Edi Rama është më monist se kurrë në pushtet, po kjo nuk do të thotë se është i pathyeshëm. Ai është absolutisht si një tigër letre, problemi është se Edi Rama e faktoi që ia mbath, opozita duhet të gjejë mekanizmin që kur t’ia mbathë të mos kthehet dot”,- deklaroi Berisha.
Pjesë nga intervista e ish-kryeministrit
Nëse opozita kërkon zgjedhjet e parakohshme, koha kalon po i afrohemi zgjedhjeve të rregullta a duhet të vijojë me këtë kërkesë opozita?
Për mua opozita duhet të bëjë gjithçka mund të bëjë për t’i bërë Edi Ramës, atë që bolivianët i bënë Moralesit, atë që armenët i bënë Sarkesianit, për t’i bërë atë që realizuan maqedonasit në një kohë kur vërtet ishte salduar një problem. Pra, opozita nuk duhet të humbasë kohë, por të hidhet në një betejë deri në përmbysjen përfundimtare të këtij bosi të mafias shqiptare, sic po e quajnë tani në Europë.
I qëndroni thirrjeve për revolucion?
Absolutisht, vetëm revolucioni është zgjidhje në këtë vend.
Po si mund të arrihet ?
Ka një urrejtje për Edi Ramën, që ka kufi vetëm qiellin dhe kjo urrejtje duhet kapitalizuar me rrëzimin sa më shpejt të Edi Ramës dhe të këtij narkokabineti, ky është mendimi im.
A rrëzohet Edi Rama me zgjedhje?
Absolutisht me votë jo, sepse nuk voton kurrë. Ai largohet me revolucion, nuk ka forcë në botë që mund t’i rezistojë. Revolucioni sot është më i mundur se kurrë. Sa më monist bëhet Edi Rama, aq më i mundshëm është revolucioni dhe fitorja e tij.
Burime nga PS pas intervistës së ish-kryeministrit Berisha thanë se do ti kërkojnë prokurorisë hetimin e ish-kryeministrit për thirrje antkushtetuese.