Biznesmeni italian Beketi sekuestron e pasuritë e Shqipërisë jashtë vendit
-Shkeljet ligjore të kryeministrit Rama po paguhen me paratë e gjithë shqiptarëve. Mediat e Belgjikës njoftojnë se paratë e shtetit shqiptar në vende të ndryshme të botës po bllokohen për gjyqin 107 milionë euro që qeveria “Rama” humbi me biznesmenin italian Françesko Beketi.
Shkeljet ligjore të Edi Ramës dhe fatura 110 milionë euro e mbylljes së televizionit “Agon Channel” po paguhen nga qytetarët shqiptarë. Gazeta e Belgjikës “L’Echo” shkruante dje se për shkak të gjyqit ndërkombëtar që qeveria shqiptare ka humbur me pronarin e televizionit “Agon Channel”, Françesko Beketi, ka nisur sekuestrimi i pasurive të shtetit shqiptar në këtë shtet. Sipas medias belge, avokatët e biznesmenit italian kanë kërkuar bllokimin e pasurive që Shqipëria ka në kompaninë Eurocontrol. Eurocontrol është kompania ajrore europiane ku bën pjesë dhe Shqipëria e që mbledh të ardhurat e taksës së fluturimit, në bazë në numrit të pasagjerëve që udhëtojnë në hapësirën ajrore të Shqipërisë, si dhe të fluturimeve ndërkombëtare që kryhen. Pra, paratë që Shqipëria do të merrte këtë vit nga shërbimet ajrore dhe taksat ndërkombëtare, nuk do të shkojnë te buxheti i shtetit për investime, paga apo pensione, po do të kalojnë në llogarinë e biznesmenit italian që fitoi gjyqin me qeverinë “Rama”. Shuma që është sekuestruar deri tani në Eurocontrol është rreth 100 mijë euro. Në bazë të vendimit të gjykatës ndërkombëtare biznesmen italian mund të sekuestrojë pasuri të tjera të Shqipërisë që ndodhen në banka apo kompani ndërkombëtare. Dy muaj më parë, ishin mediat austriake ato që njoftuan se pasuritë e Shqipërisë në fonde ndërkombëtare apo organizata të ndryshme mund të ishin objekt i bllokimit. Lidhur me këtë çështje, kryeministri Edi Rama deklaroi se gazeta austriake kishte mashtruar opinionin dhe se çështja me biznesmenin italian ishte ende në proces gjyqësor. Ndërkohë arbitrazhi ka dhënë vendimin dhe qeveria shqiptare mund të paguajë shumën direkt ose të lejojë që të sekuestrohen pasuritë. Shuma prej 107 milionë eurosh është një faturë tejet e kripur që shqiptarët po e paguajnë vetëm për teka personale të Edi Ramës dhe ministrave të tij. Në vitin 2013 qeveria “Rama” nisi sulmin ndaj televizionit “Agon Channel”, për shkak të linjës kritike që kjo media kishte ndaj Edi Ramës dhe qeverisë. Pa asnjë akt ligjor dhe si shenjë hakmarrje politike u sekuestrua media në fjalë. Me akuzën e “pastrimit të parave” që nuk u verifikua kurrë institucionet e qeverisë prenë dhe fletë arrestin për biznesmenin italian. Të gjitha këto akte të një qeverie që nuk ka idenë e ligjeve bënë që Françesko Beketi pas disa vitesh përballje gjyqësore me qeverinë të fitonte gjyqin e majmë 107 milionë euro. Historia e këtij gjyqi është dëshmi e censurës ndaj medias, arrogancës politike të Edi Ramës dhe paaftësisë së një administrate që ja fut shtetit të vet. Tashmë që procesi gjyqësor ka përfunduar, qeverisë i duhet të paguajë gjobën deri në qindarkat e fundit. Problemi është se lekët nuk do dalin nga paratë e ministrave dhe zyrtarëve që kryen sekuestrimin e medias, por nga paratë e taksave të gjithë qytetarëve shqiptarë. Në çdo vend tjetër, kjo gjobë ndaj Shqipërisë do të kishte rrëzuar qeveri dhe do kishte çuar pas hekurave ministra dhe zyrtarë që sekuestrojnë median me një SMS. Por në qeverinë e Rilindjes askush nuk mban përgjegjësi dhe gafat i paguajnë shqiptarët nga kursimet e tyre.
Nisja e sekuestrimit të pasurive të shtetit ka efekt në financat e buxhetit, por dhe imazhin e shtetit. Një qeveri që sillet në mënyrë harbute me bizneset, tashmë po shihet dhe si një shtet pa autoritet që lekët e qytetarëve i lë nëpër gjyqe ndërkombëtare, për shkak të akteve të saja antiligjore.
Nisja e sekuestrimit të parave apo pronave të shtetit shqiptar, pas vendimit të gjykatës ndërkombëtare ndaj shtetit shqiptar si dhe fakti që janë edhe disa padi të tjera ndaj qeverisë shqiptare kërkon urgjent hetime dhe penalizime nga SPAK.
Mili Xhani