Blushi, diplomatëve: Me çfarë të drejte diskutoni dekretet e Kryetarit të një shteti që ka shpallur Pavarësinë që në 1912?!
Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka reaguar lidhur me komente të disa diplomatëve në Tiranë, të cilët “diskutojnë” për detaje teknike dhe juridike të zbatimit të ligjit, duke dalë nga misioni i tyre në Shqipëri.
Në një reagim të ashpër në Facebook, Blushi thotë se ambasadorët hyjnë në debate qesharak juridike. Në mënyrë të qartë, kreu i shtetit u sugjeron këtyre diplomatëve se mund të ankohen vetë në Komisionin e Venecias dhe të zgjidhin “dilemën” se kush është më e rëndësishme; Kushtetuta e Shqipërisë apo Dvorani i Partisë?
Po në mënyrë kaq të qartë, Blushi u kujton diplomatëve misionin që kanë në Republikën e Shqipërisë duke ju drejtuar një pyetje publike: “A i keni marrë leje Kryetarit të shtetit tuaj kur hyni në lojrat e grupit të strukturuar diplomatik për të diskutuar dekretet e Kryetarit të një shteti që e ka shpallur Pavarësinë që në vitin 1912?!”.
Reagimi i plotë i Zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi:
“Presidenti Meta nuk ndalon asnjë ambasador të bëhet qesharak dhe karagjoz duke hyrë në debate juridike që nuk ekzistojnë, pasi Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese e kanë të shkruar qartë dhe prerë se Presidenti s’mund të bëjë dy emërime të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese.
Por Presidenti nuk i ndalon ata t’i drejtohen vetë Komisionit të Venecias e ta pyesin: Kush është me e rëndësishme, Kushtetuta e Shqipërisë apo Dvorani i Partisë?
Ndërsa Presidenti ka një pyetje për këta dhunues të çdo norme diplomatike dhe Konvente: A i keni marrë leje Kryetarit të shtetit tuaj kur hyni në lojërat e grupit të strukturuar diplomatik për të diskutuar dekretet e Kryetarit të një shteti që e ka shpallur Pavarësinë që në vitin 1912?!”.