Çdo kandidat politik Veliaj e mposht, por…
Ky editorial është video dhe tekst. Më të plotë e gjeni si video-editorial. Mjafton të klikoni për të parë videon
Nga Daniel Muçaku-
Zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm kanë gjalleruar politiken dhe po bëjnë që motorat e fushates të ndizen para kohe.
Por Tirana do jetë kryeqendra e këtyre zgjedhjeve pasi bashkitë e tjera do të ndahen pak a shumë si përherë, me ndonjë ndryshim të vogël apo nëse ka ndonje çudi elektorale, mund të synojnë edhe Durrësin si opozitë.
Në Tiranë mazhoranca e ka vendosur emrin e saj. Ai është Erion Veliaj. Konkuron për herë të tretë, gjithnjë kërkues dhe me shumë mbështetje nga e majta.
Erion Veliaj e ka shtabin elektoral të ngritur dhe punon çdo ditë.
Ndërsa opozita akoma endet nëpër Tiranë, jo solide. Berisha ka arritur të bindë partitë aleate për një kandidat të përbashkët në çdo bashki, ndërsa në Tiranë akoma janë mes dy varianteve: variant i parë që kandidati të jetë nga politika dhe varianti dytë ku kandidati të vijë nga shoqeria civile, natyrisht me prirje të djathta.
Pikësëpëri Berisha dhe koalicioni duhet ta ndajnë këtë dilemë mes tyre, që a duhet të jetë politikan apo shoqeri civile. Dhe në raport me këtë vendim bëhet dhe zgjedhja nga primaret, sic kanë deklaruar.
Nëse do të vendosin që si opozitë të përzgjedhin emër politikani, një gjë është e sigurtë që sot se Erion Veliaj e ka të sigurtë fitoren në bashkinë e Tiranës. Çdo kandidat që futet nga radhët e politikës aktive nga opozita, Erion Veliaj e ha të gjallë, bile me gjithë këpucë e gëlltit.
Edhe sikur vetë Sali Berisha me Ilir Metën të kandidojnë, nuk e fitojnë Tiranën, sepse e gjithë kështjella socialiste vihet në aksion si dhe çdo socialist i mërzitur me pushtetin e PS, do të dalë në votime edhe nëse deri dje nuk e kishte vendosur të shkonte të kutia e votimit.
Prandaj opozita bën gabimin fatal nëse vendos që të dalin përballë Erion Veliajt me emër të mirëfilltë politik.
Nëse opozita gjen kurajon dhe forcën të bindë veten se duhet gjetur një emër nga radhët e shoqerisë civile, që nuk është mirëfilli politikan si dhe që nuk ka patur asnjëherë funksion qeveritar, atëhere mundet të ketë kurajon të fillojë e të mendojë se mund të përballet seriozisht me Erion Veliajn.
Tirana do të jetë përplasje jo vetëm si zgjedhje vendore, por kryesisht si zgjedhje politike, pra në Tiranë do të vendosë edhe vota antiqeveri ose pro qeverisë. Pra jo thjesht nëse ka punuar apo jo kryebashkiaku Veliaj.
Po që se kandidati opozitar ,sic thamë do të jetë politikan, mënjëherë Edi Rama dhe krejt shpura socialiste, me kuç e me maç, do të investohen ta marrin prapë kryeqytetin, sepse nuk kanë hallin e Erion Veliajt, por të karrikes së tyre personale.
Po ra Tirana, ka rënë edhe qeveria, sepse mënjëherë krejt Opozita do të marrë hov dhe zjarr duke kërkuar zgjedhje të parakohshme fill pas zgjedhjeve vendore. Ndaj Tirana do të jetë kryebeteja e opozitës.
Me një kandidat jo nga politika aktive, ka mundësi që të nxisë elektoratin gri që të dalë në votime. Të mos harrojmë se në Tiranë ky elektorat është diku mes 25 deri në 30 përqind. Mjafton me një emër të spikatur që opozita të jetë kokë për kokë me Erion Veliajn në Tiranë. Edhe sikur të blejnë vota në Tiranë, nëse del elektorati gri përsëri e mund blerjen e votave nga pushteti.
Sido të jetë edhe kandidati jo politik nga opozita do ta ketë të vështirë duelin me Erion Veliajn, por gjithsesi ka një shpresë për opozitën dhe të pakënaqurit me pushtetin, se edhe mund ta fitojnë Tiranën.
Një emër qarkullon nëpër media si një sfidues për Erion Veliajn, ai është mjeku i njohur Ilir Alimehmeti. Por kupola e PD-së akoma nuk po reagon. Publiku e mirëpriti, ndërsa të vjetrit e politikës rrijnë e shikojnë yjet se do t’ju dalë horoskopi në Tiranë.
Po që se Berisha dhe Meta vendosin një emër që e duan besnik të tyre përfundimisht nuk kanë asnjë shans ta fitojnë kryeqytetin.
Duhet një emër përbashkues jo vetëm për partitë rreth Berishës, por edhe për grupin Basha-Alibeaj-Tabaku. Ky grupim në Tiranë nuk është pa vota, ndaj duhet gjetja e një formule përbashkimi për të gjithë e ku emri për Tiranën mund ti bëjë bashkë në një thes votat opozitare.
Ilir Alimehmeti aty është, ai edhe nëse nuk kandidohet, ka emrin e tij të mirë në publik dhe jetën akadamike.
Por opozita do ta shikojë me dylbi pushtetin vendor në Tiranë, bile me ato dylbi që u kanë futur avull nga Gjiri i Lalzit.
E me sa shikohet siç po vepron e përçarë dhe e turbullt kjo opozitë, pushtetin e kryeqytetit mund ta shikojë edhe njëherë me dylbi nga viti 2027!