Ç’është kjo rini që i zgjidh problemet me dhunë?!

Editorialin e shikoni duke klikuar videon!

(Editorialin e gjeni edhe në word, pas videos)

Ç’është kjo rini që i zgjidh problemet me dhunë?!

Dhuna nuk është zgjidhje, dhuna sjellë dhunë dhe sherrnajë pambarim.

Por ka disa vite që në shoqerinë shqiptare po vihet re një mani e rinisë që çdo sherr apo qejmbetje ta zgjidhin me armë, me thika apo grushte. Apo siç ndodhi mbrëmë ku një vajzë e re rrezikon të mbetet sakat për gjithë jetën në fytyrë pasi dikush në shenjë hakmarrje e qëlloi më shishe qelqi duke ia tjetërsuar pamjen.

Motrat Mariela dhe Antonela Berishaj janë shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit pasi akuzohen se janë pas dhunës fizike të një vajze të identifikuar si Klea Prenga.

24 vjeçarja ka denoncuar në instagram se është dhunuar nga një person teksa po darkonte në një lokal në Tiranë. Bile në mes të një zone shumë të populluar.

Në fotot dhe videon e postuar vajza duket se ka dëmtime të rënda në fytyrë. Dy motrat janë shpallur në kërkim për akuzën “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim”. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe po punojnë për lokalizimin e shtetaseve Antonela Berishaj, 28 vjeçe, dhe Mariela Berishaj, 28 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/25 i Kodit Penal. Këty dy shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në ambientet e një lokali në Tiranë, dyshohet se kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen Klea Prenga, 24 vjeçe.

Ky është një rast nga moria e pafund e dhunës që po bëhet normë te të rinjtë shqiptarë.

Një pjesë janë pa shkollë, pa pikë kulture dhe sjellje në shoqeri; të tjerë të droguar, të tjerë sillen si garipa apo si të fortë.

Dhe përfundimi mbetet se ka të vrarë apo të plagosur rëndë.

Shoqëria shqiptare e ka kaluar një kolaps në vitin 1997, ku arma ishte sheshit. Me pas e rimori veten ekonomikisht dhe në mënyrën e kulturës së sjelljes në shoqeri.

Për dreq ka disa vite që një pjesë, jo e vogël e rinisë, turren pas tik tokeve dhe videove, pas masakrimit në facebook të tjerëve dhe përherë përfundojnë në thika e gjak mes tyre.

Postojnë dhe zihen, zihen dhe gjakosen. Edhe vriten!

Për një gërvishje makine në vend që të merren vesh qetësisht dhe njërëzisht, të rinjtë nxjerrin koburet.

Për një shikim shtrembër kërcet dajaku, për një parakalim ndalojnë makinat mes rrugës dhe rrihen.

Për një femër që e duan me zor, shkojnë e rrahin partnerin e saj me grushta.

Në Shqipëri ka të rinjë e të reja të kulturuar, të shkolluar, profesionistë; por që rrethohen në lokale apo në rrugë nga tipa që përmendëm më sipër.

Shumë prej këtyre garipave apo kriminelëve përfundojnë në burg. Në burg bëhen edhe me keq se sa ishin, dhe kur  dalin kriminalizojnë edhe të rinjtë e tjerë të lagjes.

Në vend që problemet apo moskuptimet të zgjidhen me dialog apo me një kafe përpara, këta soji të rinjsh turren të pistoleta apo thika.

Apo siç ndodhi në rastin e fundi të shishja e qelqit në fytyrë duke ia shkatërruar jetën dhe pamjen vajzës së re.

Shteti apo vetë shoqeria e ka fajin; kjo mbetet një pyetje një milion dollarëshe!

Por fakti është se një pjesë e rinisë po degjeneron në dhunë duke e kthyer në edukatë pune thikën dhe armën.

Shoqeria duhet të reagojë, duke filluar nga çdo familje. Ndryshe do kemi thika dhe shishe qelqi mbi kokat tona!/Daniel Muçaku/

SHKARKO APP