Dështoi me pandeminë, ndaj Rama sulmon OPOZITËN

Pandemia e koronavirusit rezulton jashtë kontrollit për shkak se kryeministri nuk dëgjoi specialistët që në muajin mars të këtij viti, por vendoste si tja merrte mendja atij përsonalisht. Shifrat me shumë se 11 viktima në një ditë dhe mbi 500 infektime ditore janë dëshmia më e qartë e fakti se qeveria “Rama” nuk ka asnjë plan për fazën e dytë të pandemisë. Përveç mjekëve që po rrezikojnë jetën dhe ministrisë së Shëndetësisë që ka venë gjithë burimet në funksion të pandemisë, pjesa tjetër e qeverisë as nuk ka plan dhe as nuk di sesi do të përballohen muajt dhjetor, janar dhe shkurt. Nëse në sektorët e tjerë dështimi i qeverisë është faj, kur flitet për shëndetësinë dhe vdekjen e njerëzve kemi të bëjmë me krim. Sigurisht viktima dhe të sëmurë ka dhe në shtetet e tjera, por në këto vende qeveria dhe kryeministri merren me pandeminë. Ndërsa te ne kryeministri merret gjithë ditën me opozitën dhe fushatë elektorale.
Shembulli më i qartë i papërgjegjshmërisë qeveritare për situatën ku ndodhet vendi janë qëndrimet gjatë dy ditëve të fundit. Presidenti Ilir Meta i kërkoi kryeministrit një plan të detajtuar për përballimin e situatës. Gjithashtu, i kërkoi rritjen e investimeve në shëndetësi dhe dhënien e parave për qytetarët që po kurohen në shtëpi. Paratë për këto ndërhyrje gjenden fare lehtë, mjafton që qeveria të pezullojë dhe anuloi pagesat për koncesionet. Po ashtu, kreu i PD-së Lulzim Basha ka më shumë se 3 muaj që flet për një plan me pesë pika për të shmangur katastrofën ekonomike dhe shëndetësore. Çdo ditë kreu i PD-së kërkon nga qeveria ndërhyrje urgjente për mjekët, spitalet, qendrat shëndetësore dhe shpëtimin e jetëve të qytetarëve. Lënia e gjërave kështu siç janë, duke u fshehur pas Komitetit të Ekspertëve dhe duke mos kryer asnjë investim në shëndetësi na ka sjellë në situatën ku çdo ditë numërojmë shqiptarët që vdesim.
Edi Rama ka vendosur të përballojë pandeminë duke sulmuar dhe sharë opozitën. Në konferencën e dhënë dje për mediat, kryeministri u shfaq vetëm për të sulmuar kreun e shtetit, për të hedhur baltë mbi kreun e PD dhe për të fyer këdo nga opozita që ka kritika për menaxhimin e pandemisë. Me një gjuhë shumë larg etikës qytetarëve, kryeministri u kujdes si të shante kundërshtarët politik dhe kreun e shtetit dhe jo t’u përgjigjej çështjeve serioze ku ndodhet sot vendi. Pak rëndësi ka nëse kritikat i thotë Presidenti, kreu i PD, Luzlim Basha, apo kryetarja e LSI Monika Kryemadhi. Qëndrimet e tyre për pandeminë janë ajo që shqiptarët shohin çdo ditë me pandeminë apo e provojnë vet në dyert e spitaleve. Kryeministri duhet të shpjegojë se përse nga marsi deri më sot nuk mori masat e duhura për shëndetësinë? Duhet të përgjigjet se përse shumica e qytetarëve po detyrohen të mjekohen në banesë, kur dihej se çfarë do të ndodhte shumë muaj më parë? Gjithashtu duhet të marrë masa urgjente për ekonominë dhe kostot e larta që kurimi i virusit po shkakton në xhepat e shqiptarëve. Mbi të gjitha, duhet të bëjë çdo gjë që kjo pandemi të marrë sa më pak jetë shqiptarësh.
Strategjia e ndjekur deri më sot nuk është thjeshtë tregues i paaftësisë, por dhe një qëndrim kriminal. Qeveria po akuzon qytetarët se nuk mbajnë maska dhe që sëmuren. Mesa duket duhet t’i marrin leje qeverisë dhe për kohën kur do i kapë virusi. Pas qytetarëve Edi Rama ka nisur fushatën e fajësimit të opozitës duke përdorur dhe viktimat për kapital elektoral. Është e pafalshme që një kryeministri i kërkohet përgjegjësi për situatën dhe ai përgjigjet se do t’ja tregoi opozitës më 25 prill. Këtu nuk flitet më për slogane dhe taktika elektorale. Në lojë është jeta qytetarëve dhe kryeministri ka detyrë për të vënë në funksion të kësaj sfide çdo burim të shtetit.
E fundit, fjalori që përdori dje Edi Rama ishte jashtë se qëni e një njeriu që ka fatet e vendit në dorë. Ishte gjuhë e vrazhdët, fyese, ironike, bile e papërdroshme edhe në mjediset e pista të kafeve të pijanecëve.
Ai shqiptoi fjalë kryekëput të pista.
Mili Xhani

SHKARKO APP