Dosja e 500 mijë dollarëve të PD-së
Dosja e 500 mijë dollarëve të PD-së
Nga Daniel Muçaku-
“Zëri i Amerikës” stacioni më prestigjoz në botë e rihapi edhe një herë punën e financimit të PD në kohën kur drejtohej nga Lulzim Basha, prej burimeve financiare të Rusisë.
Zëri i Amerikës shkruan tekstualisht kështu: Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.
“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.
Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ – citon Zëri i Amerikës.
Por hetimet amerikane tregojnë se këto para kanë dalë nga Rusia.
Në një postim në Tëitter, zoti Basha shkroi se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”. Viti 2017, përkon me deklarimet e firmës lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’, se në atë vit, ajo kishte marrë tre pagesa, me një vlerë totale prej 675 mijë dollarësh për të punuar në favor të Partisë Demokratike. Kjo e fundit ka pranuar pagesën e vetëm 25 mijë dollarëve, ndërkohë që kompania Muzin, ka deklaruar se 150 mijë dollarë janë paguar përmes shoqërisë ‘Biniatta Trade LP”, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Investigime të ndryshme mediatike në atë kohë, ngritën dyshime për fije të shumta lidhjesh të kompanisë Biniatta, të cilat çonin drejt Rusisë.
Akoma më i paqartë mbeti burimi i 500 mijë dollarëve të tjerë që sipas ‘Muzin Capitol Partners’ ishte paguar direkt nga PD. Në dokumentin që firma Muzin ka paraqitur në Departamentin e Drejtësisë figuron shifra 500 mijë dollarë dhe thuhet se ajo është bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.
Por sot, Partia Demokratike, e cila drejtohet tanimë nga ish kryeministri Sali Berisha, duke komentuar informacionet e fundit nga Shtetet e Bashkuara për këtë çështje foli për “akte personale të Lulzim Bashës”, të denoncuara dhe më parë. “Gjithë përgjegjësitë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve”, u shpreh PD-ja përmes një deklarate të zëdhënëses së saj Floriana Garo.
Partia Demokratike tha se “kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë”, ndërsa njoftoi se “do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm. Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet”, u shpreh zonja Garo.
Ndërsa Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, teksa ka folur për lajmin se Rusia ka financuar PD me 500 mijë dollarë në 2017, tha se kjo gjë vërtetohet vetëm nëse Ambsada Amerikane, i dorëzon Prokurorisë shqiptare dëshminë e Nik Muzinit, të bërë para FBI-së.
Sipas tij, dëshmia e Muzinit, për të cilën duhet të pyetet Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim se ku është, sqaron nëse Lulzim Basha ka marrë 500 mijë euro nga rusët.
“Për kontratën mes Bashës dhe Muzinit në Amerikë ka një deklaratë tjetër, dhe ajo që ka ndodhur është se përse dëshmia zyrtare e dhënë nga Nik Muzini e dhënë pra punonjësve të FBI, nuk ka mbërritur në Prokurorinë shqiptare.
Kjo dëshmi është futur në zarf nga Departamenti i Drejtësisë dhe ai zarf ka ngelur në Ambasadën Amerikane. Ju duhet të pyesnin Yuri Kim, DASH përse letërporosia e Prokurorisë Shqiptare nuk mori kurrë një përgjigje zyrtare. Ku është kjo letër, ku është dëshmia e Nik Muzinin. Kjo e sqaron nëse Lulzim Basha e jo PD ka marrë vërtetë 500 mijë dollarë nga rusët apo jo. “-nënvizoi Manjani në një intervistë për Euroneës Albania.
Manjani shtoi se Ambasada Amerikane i ka një borxh publikut shqiptar. Manjani deklaroi se çështja Muzini është mbyllur pasi letër porosia e Prokurorisë shqiptare nuk ka mbërritur kurrë në dorën e kësaj të fundit.
“Kim para se të bëjë propagandë, të japë një informacion zyrtar, se ku është letër porosia zyrtare që ka bërë Prokuroria shqiptare. Kjo është arsye pse është mbyllur çështja.“- theksoi Manjani.
Sido të jetë, me mbyllje me presion apo pazar të qeverisë, kjo dosje e 500 mijë dollarëve me financime ruse duhet hetuar.
Me sa duket dosja penale ndaj bashës duket se është mbyllur në kembim të përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së.
Kush dhe si ka ndikuar ka nevojë për rihapje të hetimit që të tregohet se drejtësia e re është e pavarur dhe jo e dirigjuar nga qeveria apo të huajt.
Drejtësia duhet të jetë e varur vetëm nga ligji dhe nga Kushtetuta e Shqipërisë.