Dueli i heshtur Rama-Kurti për lidership shqiptar
(Ky editorial mund të shikohet më i plotë si video, ndaj kliko për ta ndjekur)
Edi Rama dhe Albin Kurti janë kryeministra shqiptarë, por janë krejt karaktere të ndryshme.
Në fakt ftohja mes tyre e cila tashmë ka marrë dhenë, pasi ajo që bëri Albin Kurti duke mos e pritur fare Edi Ramën në Prishtinë, nuk ka asnjë shembull në botë, por ja që ndodhi. Nuk është çështje mbledhjesh qeverish apo diçka tjetër, sepse liderët duhet të dalin mbi inatet e aq me tepër kur flitet për dy liderë në botën shqiptare të cilët kishin nevojë të tregonin Europës dhe SHBA se jemi një si komb.
Edi Rama duke qenë me orator dhe mjeshtër në marrëdhëniet ndërkombëtare, pa harruar se është kryeministër i një shteti anëtar në OKB, bile tani edhe anëtar në Këshillin e Sigurimit; pra Rama mbetet me superior. Mundet që Edi Rama ta shikojë Albin Kurtin si të përkohshëm në raport me vitet e shumta që ka vetë si shef qeverie, aq me tepër duke patur këtë opozitë të shkatërruar në Tiranë, ai do të qëndrojë edhe vite të tjera si kryeministër.
Albin Kurti po manifeston forcë dhe vendosmëri në raport me katër komunat në Veri të Kosovës, duke kundërshtuar BE dhe SHBA, çka mund të jetë tregues karakteri, por kjo tregon se nuk do të rrijë shumë në pushtet, kur ke supërfuqitë kundër. Aq me tepër një shtet i ri që ka nevojë për dorën e ngrohtë të Amerikës dhe Gjermanisë.
Por Albin Kurti jeton në botën e tij ku e mendon veten si lider përbashkues të krejt shqiptarëve në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Shqipëri. Ndaj mundet që Kurti ka krijuar në Tiranë formacionin e tij politik që konkuron në zgjedhje për të thënë se jam unë lideri përbashkues. Në këtë linjë duhet kuptuar edhe vizita e tij në Maqedoni në zonat shqiptare si në Tetovë dhe në komunën e Çairit në Maqedoni të Veriut. Nga mënyra se si ecte dhe fliste në këto mitingje ai ishte lider kombëtar në botën e tij.
Nga ana tjetër Edi Rama e merr si me humor lojën e Albin Kurtit duke e sfiduar hapur me batuta dhe veprime që shkojnë kundër vendimeve të kryeministrit kosovar.
Hashim Thaç ishte lideri që do të mund ta zhbënte Albin Kurtin në Kosovë, por atë e futën në burg miqtë e tij në Prishtinë. Ndaj përplasja Kurti-Rama do të vazhdojë se kush është lideri real shqiptar, por shanset për Kurtin janë të pakta aq me tepër se kjo vjeshtë do ta vendosë atë në kushtet e një përballje të fortë ndërkombëtare, e cila do ta detyrojë Kurtin që të jap dorëheqjen ose mundet që amerikanët të nxjerrin nga burgu Hashim Thaçin në Hagë duke ia vënë përballë Albin Kurtit, pra që kryeministri i sotëm kosovar të humb zgjedhjet politike.
Deri atëhere të dy janë si dy gjela që përplasen, paçka se Edi Rama është i gjatë dhe peshë më e rëndë se sa Kurti.
Në fund njeri do të mbetet në fushën shqiptare. Dhe brenda këtij viti.