Dueli Veliaj-Meta për Tiranën dhe kush del humbësi

(Ky shkrim është video, por dhe tekst, ndonëse më i plotë mund të ndiqet te video)

Dueli Veliaj-Meta për Tiranën dhe kush del humbësi

Nga Daniel Muçaku-

Dje dhe sot dueli mes Erion Veliajt dhe Ilir Metës ka njohur ngritje retorike dhe sulme të ashpra, bile edhe fyese.

Në fillim e nisi Ilir Meta sulmin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, pasi sipas burimeve serioze pranë Partisë së Lirisë thuhet se Ilir Meta e ka ndarë mendjen që në zgjedhjet e ardhshme vendore të kandidojë për kryetar bashkie në Tiranë dhe ku natyrisht do të përballet me Erion Veliaj.

Kryebashkiaku i sotëm e ka marrë konfirmimin nga PS, ndonëse jo zyrtarisht, por derisa është zgjedhur edhe si kryetar i PS së Tiranës, do të jetë ai që do të rikandidojë për këtë bashki.

Të mos harrojmë se bashkia e Tiranës është bashkia kryesore e Shqipërisë dhe ku realisht kush merr bashkinë e kryeqytetit ka marrë pushtetin. E jo vetëm në numra deputetësh, porse këtu janë biznesi, oligarkët, mediat, interesat e mëdha të vendit dhe ku bëhet politika e madhe e Shqipërisë.

Me sa duket Ilir Meta, si mjeshtër i vjetër në politikë e ka kuptuar se të kandidosh në Tiranë, kur ka patur postin e kryeministrit, kryetarit të parlamentit dhe presidentit të Republikës, pra interesat e botës së biznesit dhe atyre që vendosin për investime strategjike janë vetëm në Tiranë.

Prandaj duket se ka lëshuar artilerinë e rëndë kundrejt Erion Veliajt.

Nga ana e tij Erion veliajt, duke patur pas vetes investimet që ka bërë në kryeqytet dhe në rrethinat që janë pjesë e bashkisë, por edhe duke siguruar mbështetjen totale të kryeministrit Rama, pa harruar edhe një parti socialiste gjigande në Tiranë, duket se po shkon drejt një fushate, ku do t’i buzëqesh seriozisht fitorja.

Por Ilir Meta mbetet Ilir Meta, sepse ka 32 vite në politikë dhe luan në emër të opozitës duke siguruar me lojën e tij anti-Veliaj, mandatin e kandidimit në emër të krejt opozitës, pasi ka edhe disa kandidatë të tjerë që shpresojnë te jenë ata përballë Erion Veliajt. Por Meta e ka marrë lejen e Berishës, pavarësisht se PD thotë se do të ketë primare në kandidim.

Nisur nga situata brenda opozitës dhe sidomos në PD, Ilir Meta ka nisur sulmin total me raketa, kundra ajrorë, silura, topa tokë-ajër e çfarëdo municioni elektoral ndaj Erion Veliajt që ta dekurajojë apo ta sfidojë atë në këto zgjedhje.

E kemi thënë se këto zgjedhje vendore do të jenë mirëfilli politike, pas situatës që kaloi PD e tradhtuar dhe e blerë nga qeveria.

Strategjia e Ilir Metës është se duke ndryshuar emrin e partisë së LSI, që e ka themeluar, duke vendosur një emër tjetër si Partia e Lirisë mbetet se do të mbledhë me shumë njerëz në votime pro tij.

Por Erion Veliaj tha sot për Ilir Metën se “Kjo historia që ti punon 30 ditë, si këta që rrinë në Lalëz dhe kujtohen se tani erdhën zgjedhjet dhe thonë: “Do e shikoni ju në shtator!”. Ou!? Po ti ke qenë President i Republikës, pse nuk na i tregove këto gjëra? Dakord, kanë probleme brenda partisë së tyre dhe i kanë partitë si dyqane me numër NIPT-i, pra mbyll bilancin negativ të një NIPT-i dhe hap një tjetër, por është i njëjti dyqan, thjesht i ka vënë një logo të re. Këto janë problemet e partive të dyqanit, kurse partitë serioze janë krenare edhe për emrin e tyre, edhe për të kaluarën e tyre, nuk mbyllin NIPT-in dhe hapin një NIPT të ri sepse nuk kanë paguar TVSH-të. Këta njerëz kanë borxhe, “taksë morale” për t’i paguar publikut shqiptar, dhe në vend që ta paguajnë këtë taksë morale mbyllin qepenin dhe e hapin me një logo tjetër. Është i njëjti dyqan, është i njëjti biznes politik,” u shpreh Veliaj.

I ashpër ishte reagimi i Ilir Metës kur theksoi se “Tirana është prioritet për mua se ndiejë detyrime për këtë tragjedi që i ka ndodh qytetit tonë… Vërtetë humbëm 10 vjet por ndëshkimi do jetë i tillë që për 100 vite askush s’mund të luaj me interesin publik”.

Nga ana tjetër në opozitë ka disa pakënaqësi në kandidimin e Ilir Metës në bashki, sepse e shikojnë si rrezik potencial se mund të spostojë nga pak e përditë Sali Berishën. Ish-kryeministri Berisha nuk është se po shkon në drejtim të rinimit të tij si moshë fizike dhe që e ardhmja buzëqesh për të, ndaj Ilir Meta e di këtë më mirë se kushdo dhe synon të marrë lidershipin opozitar.

Ndërkohë përballja Veliaj dhe Meta në Tiranë do të sjellë një përplasje epokash dhe lidershipi, por edhe se kush forcë politike do të ketë apo mbajë pushtetin.

Partia Socialiste po humbi Tiranën ka humbur pushtetin sepse do të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme me revolta dhe përplasje fizike.

Ndaj përballja Veliaj-Meta në Tiranë do të jetë betejë mes PS dhe opozitës për të mbajtur apo humbur pushtetin.

Beteja sapo ka filluar dhe palët po rreshtohen për betejën finale mes tyre.

SHKARKO APP